“Presim që 5G të jetë në celularët e shqiptarëve në mesin e 2025”

by admin

Intervistë me Tomi Frashëri, Kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)

 

Shqiptarët do ta kenë internetin 5G në celularët e tyre në mesin e vitit 2025. Tomi Frashëri, Kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), thotë në një intervistë për “Monitor” se 5G do të jetë aktive fillimisht vetëm në qendrat e mëdha urbane dhe në portet, aeroportet dhe në disa zona të rëndësisë së veçantë, ndërsa brenda vitit 2027, më shumë se gjysma e popullsisë do të jetë e mbuluar me rrjet 5G.

Sipas tij, mbulimi i plotë i territorit me rrjet 5G është i kushtëzuar nga lirimi dhe vënia në përdorim e brezit 700 MHz, që është ende në përdorim nga operatorët e mediave audiovizive.

Z.Frashëri thekson se implementimi i 5G në këtë moment është i rëndësishëm edhe për të përballuar trafikun shtesë që krijon fluksi i lartë i turistëve në rrjetet celulare.

Sipas tij, rritja e kapaciteteve të transmetimit të të dhënave në pika të nxehta si qendrat e qyteteve kryesore dhe pranë plazheve është e domosdoshme për të menaxhuar rrezikun e bllokimit të rrjeteve nga mbingarkesa.

 

Z. Frashëri, pse është zgjedhur pikërisht ky moment nga AKEP për të nxjerrë në shitje disa blloqe frekuencash në brezat 3400-3800 MHz?

Në radhë të parë, dëshiroj të falënderoj revistën “Monitor” për interesin e shfaqur kundrejt këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.

Tenderi i fundit për dhënie në përdorim të frekuencave është zhvilluar nga AKEP në vitin 2018-19, kur iu hap rruga implementimit të teknologjisë 4G.

Natyrisht, përqafimi i gjeneratës së re të teknologjisë së telekomunikacionit kërkon paraprakisht rikthimin e arsyeshëm të investimit të realizuar nga sipërmarrësit në teknologjinë pararendëse. Në këtë kuptim, një distancë kohore prej 7 vitesh, midis dy cikleve të investimeve, është normale.

Nga ana tjetër, duhet thënë se AKEP-i dhe palët e interesuara kanë qenë fillimisht në pritje të zhvillimeve në lidhje me brezin 700 MHz. Ky brez, aktualisht në shfrytëzim nga mediat audivizuale, është përcaktuar sipas normave ndërkombëtare për përdorim të rrjeteve celulare. Në fakt, veçoritë fizike të brezit 700 MHz mundësojnë mbulimin optimal, nga pikëpamja tekniko-financiare, të territorit në shkallë të gjerë.

Në kushtet kur ky brez vazhdon të jetë në përdorim të operatorëve audivizualë, kompanitë celulare shfaqën interesin për introduktimin e teknologjisë 5G në brezin tjetër pionier, pra, brezin 3,5 GHz, i cili, ndonëse nuk ofron një mbulim në shkallë të gjerë, është i përshtatshëm për të siguruar cilësi të lartë shërbimi në zonat e dendura urbane.

Dëshiroj të theksoj se tenderi zhvillohet pas një këshillimi publik, ku të gjithë të interesuarit kanë pasur mundësi të paraqesin mendimet e tyre, si dhe pas miratimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka përcaktuar opsionet kryesore të kushteve dhe mbarëvajtjes së procesit të dhënies së këtyre brezave në përdorim.

 

Çfarë prurjesh kryesore sjell adoptimi i teknologjisë 5G dhe cilat janë përfitimet më të rëndësishme për kategoritë e ndryshme të pajtimtarëve?

Po e filloj nga pjesa e dytë e pyetjes suaj. Pajtimtarët e ndodhur në zonat urbane, në pikat kryesore turistike, në rrugët kombëtare, do të gëzojnë një shpejtësi më të madhe në ngarkimin dhe shkarkimin e të dhënave në rrjet, me kohë pritjeje më të vogël gjatë kryerjes së veprimeve online.

Klientët e biznesit, korporatat e mëdha industriale, qofshin private apo publike, do të kenë mundësi të mbështeten mbi teknologjinë 5G për të zhvilluar ide biznesi në kornizën e qyteteve inteligjente (smart cities), në manifakturë (përmes adoptimit të internet-of-things), në transport, bujqësi, shëndetësi dhe kështu me radhë.

Implementimi i 5G në këtë moment është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër. Flukset e mëdha turistike në muajt e verës nuk gjenerojnë trafik të shtuar vetëm në rrugët e Shqipërisë, por edhe në rrjetet celulare.

Prandaj rritja e kapaciteteve të transmetimit të të dhënave në pika të nxehta si qendrat e qyteteve kryesore, në plazhet e Durrësit, Vlorës, Himarës dhe Sarandës është e domosdoshme për të menaxhuar rrezikun e kongjestionimit të rrjeteve, gjithmonë e më i rëndësishëm në vendin tonë.

Së fundi, dispozitivi i ri ligjor për teknologjinë 5G bën të detyrueshme standarde shumë më të larta në terma të sigurisë së rrjeteve.

Dëshiroj të përshëndes përkushtimin e derisotëm të dy sipërmarrësve celularë për integritetin e rrjeteve dhe sigurinë kibernetike dhe jam besimplotë që, bashkë me qeverinë dhe aktorët e tjerë të fushës, do të jetësojmë një ekosistem të sigurt komunikimesh elektronike në dobi të interesit kombëtar dhe privatësisë së përdoruesve.

 

Mbi çfarë bazash janë përcaktuar çmimet minimale të vendosura në tender për vlerën e ofertave?

Çmimi minimal për një njësi autorizimi individual është produkt i një procesi të gjatë studimi dhe reflektimi.

Ai merr për bazë, ndër të tjera, çmimet e shitjes në vende të ngjashme (metoda e benchmark-ut), historikun e shitjeve të frekuencave në breza të tjerë në vendin tonë, evoluimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, lëvizjet demografike, si dhe kushtet e detyrimet që duhet të marrin përsipër ofertuesit fitues.

 

Cili është kalendari i pritshëm i implementimit të teknologjisë 5G në vendin tonë?

Sipas parashikimeve, qytetarët shqiptarë do të mund të shohin shenjën 5G në smartphone-t e tyre rreth mesit të vitit të ardhshëm. Përvoja e vërtetë 5G do të vlejë fillimisht vetëm në qendrat e mëdha urbane dhe në portet, aeroportet dhe në disa zona të rëndësisë së veçantë. Brenda vitit 2027, më shumë se gjysma e popullsisë do të jetë e mbuluar me rrjet 5G.

Mbulimi i plotë i territorit me rrjet 5G, sikundër e cekëm më sipër, është i kushtëzuar nga lirimi dhe vënia në përdorim e brezit 700 MHz.

Për të ecur me hapin e vendeve të Bashkimit Europian dhe për të përmbushur ambiciet dixhitale të vendit, është thelbësore që përvoja 5G të jetë një realitet për shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë brenda fundit të kësaj dekade.

Nuk duhet harruar se jetësimi i këtij realiteti është i kushtëzuar edhe nga zotërimi prej përdoruesve i pajisjeve fundore, pra smartphone-ve, të gjeneratave të fundit, pajisja me të cilët paraqet nganjëherë kosto domethënëse për buxhetet e familjeve shqiptare.

 

Cilat janë objektivat afatmesëm dhe afatgjatë të rregullatorit sektorial në kuadrin e politikës spektrale?

Politika spektrale përcaktohet në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Sa u përket komunikimeve elektronike, tradicionalisht AKEP-i ka pasur në vëmendje mbulimin e territorit dhe të popullsisë me shërbim celular, sikundër shmangien e interferencave brenda territorit dhe në zonat kufitare.

Në funksion të planit broadband, AKEP-i ka si synim, pa diskutim, nxitjen e shërbimeve me brez të gjerë, si një objektiv strategjik të rendit të parë.

Është e rëndësishme të vë në dukje se, në vitet e fundit, nga AKEP-i është përftuar një vetëdije më e mprehtë mbi karakterin e fundmë ose skarcitetin, siç thuhet në gjuhën ekonomike, të brezave të frekuencave.

Kështu, para dy vitesh, ne ndërmorëm një operacion të gjerë dhe të paprecedentë për të siguruar alokimin dhe përdorimin eficient të spektrit.

Njëkohësisht, vendimi i Autoritetit të Konkurrencës i marsit 2022, që lejoi bashkimin e operatorëve celularë të dytë dhe të tretë në vend ka nxitur një përsiatje të thellë mbi rolin më aktiv që politika spektrale mund të luajë në funksion të promovimit të konkurrencës, në përputhje me parimet dhe objektivat e përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 636/2020.

 

Shihni potenciale që në tenderin për frekuencat e teknologjisë 5G të marrin pjesë edhe subjekte të tjera, përveç dy operatorëve ekzistues të rrjeteve celulare?

Do të ishte një surprizë e bukur pjesëmarrja në tender e ndonjë subjekti tjetër krahas sipërmarrësve aktualisht aktivë në tregun shqiptar. Prandaj edhe thirrja për oferta është botuar jo vetëm në median vendase, por edhe në një organ shtypi ndërkombëtar.

Gjithsesi, çdo operator që ka interes mund të paraqesë në çdo çast pranë AKEP-it një kërkesë për marrjen në përdorim të një apo disa blloqeve të lira frekuencash.

Në këtë kontekst, AKEP-i ka ndjekur një politikë spektrale që lejon, në rast interesi, hyrjen në treg të një operatori të tretë rrjetesh celulare, duke shmangur që në rrënjë çdo pengesë që mund të konsiderohej si një barrierë në këtë aspekt.

 

Duke u nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera, çfarë ndikimi mjedisor dhe social pritet të sjellë teknologjia 5G?

Duke rritur besueshmërinë dhe shpejtësinë e transmetimit të të dhënave, teknologjia 5G ka potencialin të nxisë dhe të zhvillojë punën në distancë, të mësuarit online (e-learning), konsumin e përmbajtjeve audiovizuale.

Me fjalë të tjera, për të gjithë industritë dhe profesionistët e angazhuar në këta sektorë, 5G do të sjellë  rritje të produktivitetit dhe të performancës.

Nga ana tjetër, megjithëse teknologjia 5G implikon një plan përhapjeje të stacioneve bazë më të dendur, antenat do të jenë të përmasave më të vogla. Rrjedhimisht, nga pikëpamja estetike dhe mjedisore, ndikimi do të jetë më i kufizuar krahasimisht me teknologjitë pararendëse.

Njëkohësisht, dimensionet e reduktuara të antenave nënkuptojnë një fuqi më të ulët rrezatimi.

Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, që është autoriteti kombëtar përgjegjës i fushës, garanton që niveli i rrezatimit të jetë nën kufijtë e lejuar, në përputhje me standardet e BE-së të përcaktuara në Rekomandimin e Këshillit të datës 12 korrik 1999, për kufizimin e ekspozimit të publikut ndaj fushave elektromagnetike (0 Hz to 300 GHz).

Komisioni, nga njëra anë, miraton përputhshmërinë e projekteve të antenave me normat e shpërhapjes së rrezatimit jo-jonizues, dhe, nga ana tjetër, mbikëqyr dhe inspekton vijimësisht që niveli i rrezatimit është brenda kufijve normativë.

Lexoni edhe:

Teknologjia 5G,  si do ta ndryshojë tregun celular

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like