Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Shqip se intervistimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli nga ana e Prokurorisë Speciale nuk do të jetë i fundit, pasi sipas saj intervistim do të ketë edhe për ministra tjerë të kabinetit qeveritar.
Krasniqi ka deklaruar se ministrat është dashur të deklarohen për intervistim nga organi i ndjekjes. Arsyet sipas saj kanë të bëjnë me afera korruptive.
“Unë pres që të shkojnë edhe shumë të tjerë duke pasur parasysh që janë të lidhur me afera korruptive si me energji, rezerva shtetërore, kjo besoj që gjatë këtyre ditëve ka me pasur edhe të tjerë, nuk është fundit tek ministrja Rizvanolli. Është dashur të deklarohet sepse janë përfaqësues të popullit përfaqësojnë popullin dhe është dashur të deklarojnë sepse për çfarë arsye ka qenë, mirëpo arsyet dihet i dinë aferat korruptive se çfarë kanë ndodhur me ambalazhuesit e ujit, me rezervat shtetërore e energjinë elektrike”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka potencuar se kjo Qeveri ka dështuar menjëherë pas marrjes së mandatit, sipas saj, gjithçka nga qeverisja e Kurtit ka qenë dështim.
“Kjo Qeveri ka dështuar menjëherë pas gjashtë muajve kur kemi pasur zgjedhjet lokale, sepse nga partia e parë kanë dalë si partia e tretë, zgjedhjet lokale nuk kanë fituar shumë komuna dhe dita e ditës janë duke rënë edhe më shumë. Duke pasur parasysh që për katër vite nuk kanë prezantuar asnjë projekt përveç një rrugës në Dragash që e kanë bërë 6 km, e disa ura që e kanë jap disa kohë me përfunduar. Janë bërë gati më shumë se 12 muaj që kemi pritur që të përfundohet një urë 38 metra, gjithçka është dështim”, shtoi ajo.
Deputetja e LDK-së ka ritheksuar se qytetarët janë vetëdijesuar se tash e katër vite Qeveria ka qenë e mbuluar me korrupsion.
Madje shtoi se në prag të zgjedhjeve Parlamentare, LVV-ja po shfrytëzon ambasadat për të bërë fushatë në diasporë.
“Korrupsioni nuk mbulohet sepse qytetarët po e dinë se çka kanë bërë tash e katër vite, tani janë duke i shfrytëzuar ambasadat e Republikës së Kosovës, në vend që me i shfrytëzuar për të lobuar për Kosovën. Ata po i shfrytëzojnë i kanë bërë sikur zyre të partive të veta edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Lista Guxo, për të bërë fushatë në diasporë”, ritheksoi ajo.
Ajo ka fajësuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për të gjithë “rrugët e mbyllura” të Kosovës.
Pikërisht ai qëndron prapa tyre, sepse në Lëvizjen Vetëvendosje asgjë nuk bëhet pa thënë Albin Kurti, Qytetarët tashmë e dinë se çka ka bërë kjo qeverisje tash e katër vite, nëse qytetarët duan të dalin nga kjo rrugë e mbyllur ku na ka futur Lëvizja Vetëvendosje kemi stagnim të gjitha fushave duhet të dimë të zgjedhim një rrugë të re ajo është Lidhja Demokratike e Kosovës”, përfundoi deputetja.
Ndryshe gjatë dy viteve të fundit, të intervistuar nga Prokuroria Speciale, janë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministri Liburn Aliu.
Krahas kësaj, ka të intervistuar edhe zëvendësministër i cili është Hysen Durmishi po ashtu si i dyshuar.