PRAGË – Republika Çeke nis zgjedhjet rajonale dhe të Senatit pavarësisht përmbytjeve

by admin
Spread the love

PRAGË, 20 shtator /ATSH-DPA/- Pavarësisht fatkeqësisë nga përmbytjet në lindje të vendit, në Republikën Çeke filluan sot zgjedhjet dyditore për Senatin dhe asambletë rajonale.

Asambletë e reja po zgjidhen në 13 rajone, duke përjashtuar kryeqytetin, Pragë, i cili ka një status të veçantë.

Vota konsiderohet si një barometër i humorit publik përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm për Dhomën e Deputetëve, Dhomën e Ulët të parlamentit, e cila nga ana tjetër do të përcaktojë qeverinë e ardhshme.

Rajonet menaxhojnë shkollat, spitalet dhe shtëpitë e kujdesit dhe shpërndajnë subvencione të BE-së. Qendrat e votimit u hapën sot në orën 14:00. Ato do të jenë të hapura edhe të nesër.

Çekët zgjedhin një të tretën e Senatit, ose Dhomës së Lartë, çdo gjashtë vjet. Kjo do të thotë se zgjedhjet për këtë organ zhvillohen çdo dy vjet.

Një raund i dytë votimi në zgjedhjet për Senatin do të zhvillohet fundjavën e ardhshme – nëse asnjë kandidat nuk siguron 50% të votave.

Senati ka peshë në legjislacion dhe mund të parandalojë ndryshimet kushtetuese.

Qytetet dhe bashkitë e prekura nga përmbytjet kërkuan që zgjedhjet të shtyheshin – por qeveria e kryeministrit Petr Fiala i hodhi poshtë këto thirrje duke përmendur sfidat e mundshme ligjore.

Në disa vende nuk funksionojnë as rrjetet e energjisë elektrike, as rrjetet celulare, rrugët janë të pakalueshme dhe urat janë të shkatërruara.

Në disa raste, zjarrfikësve iu kërkua të qarkullonin me “kuti votimi të lëvizshme” për votuesit.

Megjithatë, pjesëmarrja në votime mund të jetë më e ulët se zakonisht. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like