PHENIAN – Kim Jong Un: Do të përdorim armë bërthamore në rast të kërcënimit të vendit

by admin
Spread the love

PHENIAN, 4 tetor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un u zotua se do të përdorte armë bërthamore nëse sovraniteti i vendit të tij kërcënohej, njoftoi sot media shtetërore e Phenianit.

”Ushtria e Koresë së Veriut do të përdorë pa hezitim të gjitha forcat sulmuese që zotëron, përfshirë armët bërthamore”, tha Kim gjatë një vizite në një bazë stërvitore të ushtrisë të mërkurën, njoftoi KCNA e kontrolluar nga shteti.

”Nëse vjen një situatë e tillë, ekzistenca e përhershme e Seulit dhe Republikës së Koresë do të ishte e pamundur”, tha ai.

Të martën, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol paralajmëroi Korenë e Veriut se çdo përpjekje për të përdorur armë bërthamore do të përballej me një përgjigje të fortë dhe dërrmuese nga Koreja e Jugut dhe aleatët e saj amerikanë.

Yoon tha se nëse Koreja e Veriut përpiqet të përdorë armë bërthamore, ajo do të përballet me “përgjigjen e vendosur dhe dërrmuese” të ushtrisë së saj dhe aleancës Seul-Uashington.

Në shtator, Kim zbuloi një strukturë të pasurimit të uraniumit dhe shprehu dëshirën e tij për të zgjeruar “në mënyrë eksponenciale” arsenalin e armëve bërthamore të vendit.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), Koreja e Veriut aktualisht posedon rreth 50 koka bërthamore, megjithëse numri i saktë nuk dihet.

Koreja e Veriut e izoluar gjerësisht është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për shkak të armëve të saj bërthamore dhe programit të raketave.

Testi i fundit i njohur bërthamor u zhvillua në vitin 2017./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like