Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi ka komentuar propozimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për buxhetin e vitit 2025 prej 3.6 miliardë euro.
Në një intervistë për Shqip, Rukiqi ka thënë se kjo Qeveri pavarësisht vlerës së buxhetit, ka dëshmuar që nuk bënë zhvillim.
“Kjo Qeveri ka dëshmuar që pavarësisht vlerës që buxhetit që ka dhe shifrat që vendos në buxhet vetëm zhvillim nuk bënë. E pamë edhe në raportin e progresit një kritikë specifike sa i përket investimeve publike fatkeqësisht mungesës të investimeve publike, që do të thotë që ne sot nuk i shohim kthimin e taksave tona në mirëqenien tonë”, ka thënë Rukiqi.
Po ashtu ai përmendi disa nga premtimeve e Kurtit, për ndërtimin e çerdheve, shkollave, rrugë e hapësira për biznese, që sipas tij, edhe pse kjo Qeveri ka shpenzuar 350 milionë euro nuk ka bërë asnjë ndryshim për mirëqenien e qytetarëve.
“Ajo mund të vinte në më shumë çerdhe, më shumë shkolla, rrugë dhe hapësira për biznese. Kjo nuk ka ndodhur për shkak se shkalla e realizimit të investimeve kapitale është njëjtë edhe kur ka qenë buxheti 2 miliardë euro, si kur sot që mbi 3 miliardë, e sikur kur ka qenë 1.5 miliardë euro. Nuk ka mbërri me shpenzuar as 350 milionë euro mesatare në këto katër vite të qeverisjes, kjo pastaj ka reflektuar edhe në mirëqenien e qytetarëve edhe në qarkullimin e bizneseve dhe në krijimin e vendeve të punës por edhe në mungesën e investimeve”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka theksuar se pavarësisht shumës së buxhetit nëse nuk shpenzohet nuk mund të ketë zhvillim në Kosovë.
“Nuk ka rëndësi këtu shifrat që vendosen për Qeverinë këto janë tabela në Excel për sa i përket realizimit nëse mjete nuk shpenzohen dhe qëndrojnë 800 milionë euro në Bankën Qendrore të cilat pastaj Qeveria i rithekson me krenari që po krijojnë fitim të BQK-së, ne nuk mund të presim zhvillim. Tabela mund të jetë edhe 4 miliardë euro e më shumë mirëpo nëse të njëjtat nuk shpenzohen si duhet atëherë nuk mund të flasim për zhvillim”, ka theksuar Rukiqi.
Për rritjen e pensioneve dhe pagës në sektorin publik, anëtari i LDK-së ka potencuar se janë rritje qesharake, duke shtuar se krejt këto vendime janë për blerje të votës, raporton EO.
“Nëse e shikojmë strukturimin e si e kanë bërë veprimet para buxhetit dhe strukturën e saj, njëherë rritje qesharake të pensioneve, tani në rritje e pagave si me këste apo me kushtëzime nuk mund të quhet ndryshe vetëm përdorim i buxhetit për blerje të votës “, ka theksuar ai.
Ndryshe, të mërkurën Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerën prej 3.6 miliardë eurosh. Ndërsa kryeministri Albin Kurti, theksoi se kjo shifër përbën një rritje prej afër 9 për qind krahasuar me buxhetin e vitit paraprak.