PARIS – Rutte: Lidhjet e Rusisë me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, një kërcënim

by admin
Spread the love

PARIS, 12 nëntor /ATSH/- Bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak në rritje i Rusisë me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin po kërcënon Evropën, Indo-Paqësorin dhe Amerikën e Veriut, tha sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sipas Reuters.

Rutte – në një mesazh për administratën e ardhshme të SHBA-së ndërsa presidenti i zgjedhur Donald Trump përgatitet të marrë detyrën – nënvizoi rëndësinë e unitetit transatlantik dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

Duke folur me presidentin francez Emmanuel Macron, Rutte nënvizoi rreziqet që vinin nga ndihma ushtarake e Koresë së Veriut dhe Iranit për Rusinë.

“Në të njëjtën kohë, Kina mbështet ekonominë e Rusisë, mundëson industrinë e saj të mbrojtjes dhe përforcon narrativën e saj në të gjithë skenën botërore”, tha Rutte.

>

“Rusia – duke punuar së bashku me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën – nuk po kërcënon vetëm Evropën, por po kërcënon paqen dhe sigurinë, po, këtu në Evropë, por edhe në Indo-Paqësorin dhe në Amerikën e Veriut”, shtoi ai.

Trump ka kritikuar shkallën e ndihmës perëndimore për Kievin dhe ka thënë se do t’i japë fund konfliktit në Ukrainë me shpejtësi, pa thënë se si.

Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA ka shkaktuar shqetësime në Kiev dhe kryeqytete të tjera evropiane – për shkallën e angazhimit të ardhshëm të SHBA-së për të ndihmuar Ukrainën.

Rusia po avancon me ritmin e saj më të shpejtë që nga viti 2022, pavarësisht humbjeve të mëdha, dhe Ukraina tha javën e kaluar se ishte përleshur me disa prej rreth 11 000 trupave të Koresë së Veriut të dislokuara në rajonin e Kurskut, në Rusi. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like