
PARIS, 26 mars /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka përshkruar vizionin e tij për një dislokim të mundshëm të trupave evropiane në Ukrainë, duke theksuar se roli i tyre do të ishte sigurimi i qyteteve dhe bazave kyçe në vend që të angazhohen në luftimet e vijës së parë kundër forcave ruse.
Në prag të samitit të mbështetjes së Ukrainës në Paris, Macron tha se prania e trupave evropiane do të shërbente si një pengesë, duke parandaluar agresionin e ri rus dhe duke ndihmuar Kievin të mbajë kontrollin e territorit të tij.
Ai nuk ofroi detaje se si do të dukej një përgjigje ushtarake evropiane ndaj një sulmi rus.
Gjatë tre viteve të fundit të pushtimit të gjithanshëm të Rusisë, shumë qeveri evropiane kanë shprehur kundërshtimin ndaj dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, nga frika se Kremlini do ta shihte atë si një përshkallëzim të madh.
Presidenti francez njoftoi edhe një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në vlerë prej dy miliardë eurosh (2,1 miliardë dollarë), duke përfshirë raketa, tanke, drone dhe municione.
Nesër, përfaqësues të lartë nga 31 vende që mbështesin Kievin do të mblidhen në Paris për bisedime të fokusuara në garancitë e sigurisë në rast të një armëpushimi midis Ukrainës dhe Rusisë./ a.jor.