PARIS, 17 shkurt /ATSH-DPA/- Samiti urgjent i organizuar sot nga presidenti francez, Emmanuel Macron – ku u diskutuan planet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – dështoi duke mos dhënë asnjë rezultat të menjëhershëm – pasi liderët evropianë ishin të ndarë në çështjen e dërgimit të trupave paqeruajtëse për të monitoruar një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.
Pas takimit në Paris, kancelari gjerman Olaf Scholz e kundërshtoi sërish debatin e paqeruajtësve duke e quajtur si “plotësisht të parakohshëm”.
Scholz tha se ishte “irrituar” nga diskutimet që rrotulloheshin rreth rezultateve të mundshme të bisedimeve të paqes që nuk janë zhvilluar ende, pa përfshirë ukrainasit.
“Për ta thënë troç, kjo është shumë e papërshtatshme”, tha lideri gjerman.
Përpara bisedimeve jozyrtare – ku morën pjesë liderët e Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës, së bashku me figura të larta të BE-së dhe NATO-s – kryeministri britanik Keir Starmer tha se ishte i gatshëm të dërgonte trupa në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi.
Franca gjithashtu thuhet se ka shprehur gatishmërinë e saj për të dislokuar trupa disa kohë më parë.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot foli për bisedime konkrete “në nivele të ndryshme” në lidhje me dislokimin e trupave, veçanërisht nga Franca, Britania e Madhe dhe Polonia – tre ushtritë kryesore në Evropë.
“Një forcë e tillë paqeruajtëse do të siguronte një armëpushim të ardhshëm dhe një “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë”, tha ai për kanalin LCI. //a.i/