PARIS – Franca shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Kaledoninë e Re

by admin

PARIS, 15 maj /ATSH-DPA/- Franca ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kaledoninë e Re pasi territori i jashtëm i Paqësorit Jugor është tronditur nga trazira të dhunshme, njoftoi sot zyra e presidentit Emmanuel Macron në Paris pas një takimi të qeverisë.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme e bën më të lehtë për autoritetet vendosjen e shtetrrethimit dhe ndalimin e demonstratave, ndër të tjera.

Të paktën tre persona kanë vdekur në trazirat që shpërthyen pasi Asambleja Kombëtare e Francës miratoi reformat e diskutueshme të votimit në territorin që zemëroi mbështetësit e pavarësisë. Disa qindra njerëz janë plagosur.

“Macron shprehu tronditjen e tij për vdekjet dhe plagët e rënda të një oficerI policie”, tha zyra presidenciale.

Më herët, Komisioni i Lartë Francez tha se më shumë se 130 persona ishin arrestuar pas natës së dytë të protestave, plaçkitjeve dhe vandalizmit.

Trazirat filluan të hënën ndërsa Franca debatoi një projektligj që do t’u jepte mijëra qytetarëve francezë në arkipelagun në Paqësorin Jugor të drejtën për të votuar në votimet provinciale.

Lëvizja pro-pavarësisë e Kaledonisë së Re ka frikë se ndryshimi do të rezultojë në një dobësim të ndikimit politik midis popullit indigjen të Kanakëve.

Asambleja Kombëtare në Paris e miratoi reformën brenda natës, me 351 vota pro dhe 153 kundër.

“Rreth 60 oficerë policie u plagosën në trazira”, tha sot Komisioni i Lartë.

Ndërtesa të shumta ishin djegur, duke përfshirë shkollat. Një arratisje e planifikuar në burgun në kryeqytetin Nouméa ishte penguar, shtoi ai.

“Është vendosur një shtetrrethim gjatë natës dhe njerëzve u është kërkuar të kufizojnë lëvizjet e tyre gjatë ditës”, tha komisioni.

Për Parisin, Kaledonia e Re është e rëndësishme gjeo-politikisht, si ushtarakisht ashtu edhe për shkak të depozitave të saj të nikelit.

Territori, me rreth 270 000 banorë, ka fituar autonomi të gjerë përmes Marrëveshjes Nouméa. Ishulli ndodhet rreth 1200 kilometra në lindje të Australisë.

Banorët votuan për të mbetur pjesë e Francës në secilin nga tre referendumet për pavarësinë e mbajtur në 2018, 2020 dhe 2021.

Megjithatë, Lëvizja për Pavarësi bojkotoi votimin e fundit dhe njoftoi se nuk do ta pranonte rezultatin. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like