OpenAI po planifikon ndërtimin e chip-it të tij të parë IA në vitin 2026

by admin
Spread the love

OpenAI po bashkëpunon me Broadcom dhe TSMC për të ndërtuar chip-in e parë in-house (në shtëpi) i projektuar për të mbështetur sistemet e tij të Inteligjencës Artificiale, duke shtuar krah chip-ave të AMD edhe ata të Nvidia për të përmbushur kërkesat në rritje të infrastrukturës – thanë burimet për Reuters.

OpenAi, shoqëria në rritje të shpejtë pas ChatGPT, ka analizuar një sërë mundësish për të diversifikuar furnizimin me chip-a dhe për të ulur kostot.

OpenAI ka marrë në konsideratë mundësinë për të ndërtuar gjithçka in house dhe për të mbledhur kapitale për një plan të kushtueshëm për ndërtimin e një rrjeti fabrikash të njohura si “fonderi” për prodhimin e chip-ave.

Sipas burimeve, që kërkuan të mbeteshin anonime, pasi nuk ishin të autorizuara të diskutonin privatisht çështjet, kompania e ka braktisur planin ambicioz të fonderive për shkak të kostove dhe kohës së nevojshme për ndërtimin e një rrjeti dhe në vend të kësaj synon të përqendrohet të projektimi i chip-ave.

Strategjia e kompanisë, e detajuar për herë të parë, thekson se si startup-i i Silicon Valley po shfrytëzon bashkëpunimet industriale dhe një sërë strategjish të brendshme dhe të jashtme për të siguruar furnizimin me chip-a dhe për të menaxhuar kostot si rivalët e mëdhenj Amazon, Meta, Google dhe Microsoft.

Duke qenë një nga blerësit më të mëdhenj të chip-ave, vendimi i OpenAi për t’u furnizuar nga disa prodhues chip-ash të ndryshëm gjatë zhvillimit të chip-it të vet të personalizuar mund të sjellë ndërlikime të shumta në sektorin teknologjik.

Aksionet e Broadcom u rritën pas publikimit të lajmit, duke e mbyllur tregtimin e së martës me mbi 4.5%. Edhe aksionet e AMD i zgjeruan fitimet krahasuar me tregtimin e mëngjesit, duke e mbyllur ditën me 3.7%.

OpenAI, AMD dhe TSMC nuk pranuan të komentojnë. Broadcom nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

>

OpenAI, e cila ka ndihmuar në komercializimin e IA gjeneruese, që jep përgjigje të ngjashme me ato të njerëzve, mbështetet te një fuqi e madhe kompjuterike për të trajnuar dhe për të menaxhuar sistemet e saj.

Si një nga blerësit më të mëdhenj të njësive të përpunimit grafik (GPU) të Nvidia, OpenAi përdor chip-a të Inteligjencës Artificiale, si për të trajnuar modelet prej të cilave IA mëson të dhënat, si dhe për të nxjerrë përfundime, duke përdorur IA për të bërë parashikime ose për të marrë vendime të mbështetura nga informacione të reja.

Sipas burimeve, prej disa muajsh OpenAI po bashkëpunon me Broadcom për të krijuar chip-in e parë IA i përqendruar te përfundimet. Për momentin, kërkesa është më e lartë për chip-at e trajnimit (training chips), por analistët kanë parashikuar se nevoja për chip-a që japin përfundime (inference chips) mund ta tejkalojë të parën, me përhapjen më të gjerë të aplikacioneve IA.

Trajnimi i modeleve të Inteligjencës Artificiale dhe shërbimeve operative si ChatGPT janë të kushtueshme. Sipas burimeve, këtë vit OpenAI parashikon një humbje prej 5 miliardë dollarësh dhe 3.7 miliardë të ardhura.

Llogaritja e kostove ose ndryshe shpenzimet për hardware, energjinë elektrike dhe shërbimet cloud, të nevojshme për të përpunuar sasi të mëdha të dhënash dhe për të zhvilluar modele janë shpenzimet më të mëdha të kompanisë, që synon të përmirësojë përdorimin dhe të diversifikojë furnizuesit.

/ Reuters

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like