Nuk kemi ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës – Shqip

by admin

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt, konfirmoi qëndrimin e pandryshuar të Greqisë në lidhje me Kosovën. Ai theksoi se për të normalizuar raportet mes dy vendeve, ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë thelbësore, duke shtuar se ky proces do të ndikojë në stabilitetin e rajonit.

“Qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Beograd më 12 shkurt.

“Ndërmjetësimi evropian dhe dialogu janë mënyra e vetme për të normalizuar raportet mes dy palëve. Kjo do të ndihmonte ndjeshëm stabilitetin në rajon. Ne po i shikojmë dhe ndjekim me ankth ngjarjet e mujave të fundit”, tha Mitsotakis pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Greqia është në mesin e pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.

Udhëheqësi grek tha se shteti i tij mbështet Serbinë në rrugën e saj evropiane.

“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është qëllimi ynë strategjik. Është e rëndësishme për Beogradin që të përfitojë nga këto rrethana pozitive në procedurën evropiane. Duke përshpejtuar reformat në shtetin tuaj, ju do t’i afroheni BE-së”, shtoi ai.

Kryeministri grek po ashtu theksoi se ka parë përparim në raportet mes Athinës dhe Beogradit. Sipas Mitsotakis, bashkëpunimi mes Greqisë dhe Serbisë është zgjeruar në sektorin e energjisë dhe Athina mbështet projektet infrastrukturore dhe investimet e BE-së në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ne duhet t’i përdorim fondet evropiane që janë të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, theksoi ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia dhe Greqia gjithmonë kanë mbështetur integritetin territorial të njëra-tjetrës”.

“Besoj se edhe në të ardhmen do të jetë njëjtë”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia “është e vendosur” që të vazhdojë rrugën evropiane dhe falënderojë Greqinë për mbështetjen në këtë drejtim, shkruan REL.

Vuçiq tha se me Mitsotakis ka biseduar për energjinë, përkatësisht për naftësjellësit, gazsjellësit, blerjen e gazit, burimet e energjisë së ripërtërishme, por edhe se si kompanitë greke mund të ndihmojnë që Serbia të ndërtojë këto kapacitete.

Ata po ashtu kanë biseduar për infrastrukturën dhe transportin, për modernizmin e rrugës dhe hekurudhës nga Beogradi në Selanik dhe lidhjen e Serbisë me portet greke.

You may also like