Nesër në Gjermani Samiti i 10-të i Procesit të Berlinit, në fokus tregu i përbashkët rajonal

by admin
Spread the love

BERLIN, 13 tetor /ATSH/- Samiti i 10-të i Procesit të Berlinit do të zhvillohet nesër në Berlin, ku do të marrin pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së – duke u fokusuar në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, sipas N1.

Përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – marrin pjesë edhe vendet anëtare të BE-së të përfshira në proces, duke përfshirë Kroacinë.

Samiti do të fokusohet në bashkëpunimin rajonal, një treg të përbashkët rajonal dhe axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Në takim do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për një plan të ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.

Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe qëllimi kryesor i formatit që në fillim ka qenë t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me BE-në – në mënyrë që të përbushin rekomandimet e bëra në BE në Selanik në 2003, kur këtyre vendeve iu premtua anëtarësimi në BE.

Vitet e fundit, Procesi i Berlinit ka fituar rëndësi për shkak të ndikimit në rritje të fuqive si Rusia, Kina dhe Turqia në rajon, të cilin BE-ja dëshiron ta parandalojë.

Disa nga arritjet më të mëdha të Procesit të Berlinit janë nënshkrimi i një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal, për heqjen e vizave dhe njohjen reciproke të diplomave. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like