Në Angli e bëjnë të kryer, Guardiola qëndron dhe nëse Siti do të dënohet

by admin
Spread the love

Pep Guardiola do të qëndronte si trajner i Mançester Sitit edhe nëse klubi shpallet fajtor për 115 akuzat me të cilat përballet për shkelje të mundshme financiare nga Premier Liga sipas “The Athletic”. Siti është përfshirë në një betejë ligjore në një përpjekje për të pastruar veten nga çdo shkelje, por ka edhe çështje të tjera për të zgjidhur, duke përfshirë faktin që Guardiolës i skadon kontrata në fund të sezonit.

Katalanasi ishte një kandidat i preferuar nga “FA” për stolin e Anglisë, por Tomas Tuhel u emërua në atë rol të mërkurën. Kjo e lë të pasigurt të ardhmen e Guardiolës, megjithëse ka pasur zëra se ai do të qëndrojë për të paktën një vit tjetër në “Etihad”. Drejtori sportiv Txiki Begiristain do të largohet nga posti i tij në fund të sezonit, ndërsa Hugo Viana do ta zëvendësojë.

Kjo lëvizje vetëm sa ka shtuar spekulimet se e ardhmja e Guardiolës mund të jetë diku tjetër. Por, sipas “The Athletic”, me vendimin për akuzat që mund të vijë në fund të vitit, burime pranë spanjollit sugjerojnë se nëse Siti do të shpallej fajtor, atëherë do të kishte më shumë gjasa që trajneri të qëndronte. Sipas “The Athletic”, Pep nuk do donte ta linte klubin në vështirësi, në momentin që ai do të kishte më shumë nevojë se kurrë për një dorë. Edhe një vit tjetër në “Etihad”, do ta zgjaste qëndrimin e tij në 10 vjet në krye Sitit, pasi mori drejtimin e klubit në 2016.

Pritet që Guardiola ta informojë klubin për vendimin e tij në javët e ardhshme, duke u dhënë atyre kohë të mjaftueshme për të gjetur një zëvendësues nëse ai vendos që të largohet nga klubi. Drejtori i ri Viana do të sjellë ide të reja në klub, ndërsa ai ka shpalosur platformën e tij gjatë intervistës së mbajtur përpara Begiristainit, i cili udhëhoqi procesin e gjetjes së pasardhësit të tij.

>

Ruben Amorim dhe Ksabi Alonso janë në krye të listës së dëshirave të Sitit nëse Guardiola vendos të largohet, ndërsa Amorim ka punuar te Sportingu Lisbonës me Vianën gjatë viteve të fundit, por dje tha se rrugët e tyre do të jenë të ndara. Trajneri portugez e ka udhëhequr skuadrën e tij drejt dy titujve kampion në Portugali që kur mori drejtimin e klubit në vitin 2020. Ai është ende vetëm 39 vjeç.

Ndërsa Alonso u përfol për të marrë drejtimin e Liverpulit gjatë verës, por vendosi të qëndrojë te Bajer Leverkuseni pasi e udhëhoqi klubin drejt titullit të Bundesligës pa humbur asnjë ndeshje sezonin e kaluar.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

You may also like