MV – Qeveria maqedonase në 100 ditë: Kritika për ngecjen në rrugën drejt BE-së

by admin
Spread the love

SHKUP, 3 tetor /ATSH/ – Këtë javë qeveria e Maqedonisë së Veriut, që u krijua nga koalicioni i partive VMRO-DPMNE-VLEN-ZNAM, shënon 100-ditëshin e parë të punës.

Për qeverinë ato ishin ditë të suksesshme. Porse opozita i konsideron katastrofike – si në planin e brendshëm për shkak të përkeqësimit të raporteve ndëretnike, ashtu dhe në atë të jashtëm, për shkak të moszhbllokimit të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Në paraqitjen e tij me rastin e 100 ditëve të qeverisë, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, tha se kabineti qeveritar mbetet i vendosur në rrugën e përmbushjes së dy qëllimeve strategjike – mbrojtjen e interesave kombëtare dhe qëndrimin në rrugën drejt BE-së.

Ai paralajmëroi reforma të mëdha në drejtësi, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, projekte dhe investime të reja, masa dhe vendime me rëndësi të madhe për qytetarët.

“Mbase mund të ishin edhe më të suksesshme, por absolutisht nëse dikush do të më pyeste a jam i kënaqur, do të thosha se qind për qind jam i kënaqur me secilin që mori shansin gjatë këtyre 100 ditëve”, tha Mickoski.

Ai theksoi se qeveria e tij “nuk do të bëjë asgjë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe orientimet strategjike të qytetarëve”, duke aluduar në kontestin me Bullgarinë dhe mosndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e komunitetit bullgar në të.

Sipas tij, për ndryshimin e Kushtetutës, qeveria e tij “kurrë nuk do të lëshojë pe”, për shkak se “ky do të ishte nënçmim dhe turp për qytetarët maqedonas”.

Më 25 shtator 2024, ambasadorët e vendeve të BE-së vendosën njëzëri për nisjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në bllokun evropian, duke e ndarë atë nga Maqedonia e Veriut, e cila nuk arriti të përmbushë kushtin për ndryshimin e Kushtetutës.

Ndryshimet kushtetuese parashohin përfshirjen e bullgarëve si popull shtetformues, për të vazhduar procesin e integrimit evropian dhe për të hapur negociatat me Komisionin Evropian.

Një nga premtimet kryesore parazgjedhore të VMRO DPMNE-së ishte përparimi në procesin e integrimit evropian dhe anëtarësimi i plotë në BE. Ndërkohë, partneri i tyre i koalicionit, koalicioni shqiptar VLEN, kishte vendosur një afat gjashtëmujor në programin e tij për përmbushjen e kushtit që do të mundësonte fillimin e negociatave me BE-në.

Lidhur me 100-ditëshin e punës së qeverisë, më 29 shtator 2024, koalicioni VLEN, veçmas nga partneri qeveritar VMRO-DPMNE, u lavdërua me arritjet e veta.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, njëkohësisht edhe lider i Lëvizjes Demokratike (LD), si sukses përmendi disa projekte, duke përfshirë luftën kundër biznesit të kazinove, për ç’gjë, sipas tij, tashmë kanë nisur procedurat.

“Angazhimi ynë është të vazhdojmë me përkushtim deri në eliminimin e plotë të këtyre aktiviteteve që shkatërrojnë jetën sociale dhe ekonomike të mijëra familjeve”, tha ai.

Pavarësisht optimizmit të qeverisë, partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e ka pritur 100-ditëshin e parë të saj me sloganin “100 ditë arsyetime, skandale dhe dëshpërime”.

“Deri tani, nuk ka pasur një qeveri me një fillim kaq të keq të sundimit. Nëse dita shihet nga mëngjesi, edhe më keq i pret qytetarët dhe shtetin me Mickoskin dhe VMRO DPMNE-në. Kjo është qeveria më e paaftë që nga pavarësia e shtetit e deri më sot”, thanë nga kjo parti.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti shqiptare në opozitë, e vlerësoi me nota negative 100-ditëshin e koalicionit qeverisës, duke e goditur sidomos partnerin shqiptar të koalicionit, grupimin VLEN.

“Vendimi i Bashkimit Evropian që ta ndajë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin tonë evropian, është dështim shekullor për qeverinë me legjitimitet monoetnik”, thanë nëpërmjet një komunikatë për media nga BDI-ja, duke kërkuar kthim të menjëhershëm të prioritetit shtetëror për integrim evropian dhe distancim të menjëhershëm të qeverisë nga partneriteti ruso-kinez./ (REL)

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like