“Mota po zhgënjen në fazën ofensive”, Di Kanio këshillon Juven: Forco sulmin, bli Zirkzen

by admin
Spread the love

Ish-futbollisti i Juventusit, Paolo Di Kanio ka dhënë një intervistë të gjatë për Tutosport, ku ka prekur temat më delikate të “Zonjës së Vjetër” për momentin. Di Kanio nuk i kurseu elozhet, por edhe ndonjë kritikë për Tiago Motën, ndërsa analizoi momentin bardhezi.

“Jemi duke parë që tani qëndrueshmërinë, qasjen dhe mentalitetin e duhur te Juventusi. Është një skuadër që nuk pëson gola dhe që e lejon shumë pak kundërshtarin për ta vendosur në vështirësi. Sa i përket aspektit ofensiv, prisja diçka më tepër. Sigurisht që nuk prisja një lojë si ajo e Guardiolës, por diçka më shumë. Mund ta justifikoja në kohën e tij te Bolonja, por te Juvja, me këta lojtarë që ka të gjithë presin diçka më shumë, një nivel më lartë dhe më të shpejtë. Megjithatë, ndodhet në kushte të mira në tabelën e klasifikimit dhe kjo është diçka pozitive. Impakti në Champions është i jashtëzakonshëm”.

SITUATA- “Pas fitores në Ligën e kampioneve prisja një situatë pak më të mirë, ose shpresoj që ashtu të jetë, sepse Juvja është një skuadër që ka ndërtuar mirë gjatë lojës. Në Champions ka luajtur ndryshe në raport me kampionatin, ka krijuar më shumë mundësi dhe dialogu mes lojtarëve ka pasur më shumë harmoni. Ndaj Kaljarit ndërkohë kjo gjë nuk është parë. Nëse do të luhej me të njëjtin intensitet si ndaj Lajpcigut, do të ishte një ndeshje pa histori. Megjithatë, Motës i duhet kohë, rritja e një skuadre është një proces i gjatë. Shumë lojtarë janë të rinj dhe nuk e njohin njëri-tjetrin. Sakaq, rezultatet që ka marrë deri më tani i ka merituar, por nga ky moment e tutje pres diçka më tepër nga Juventusi e gjithashtu nga trajneri Tiago Mota”.

>

SULMI- “Nëse më pyet për profilin që Juvja ka nevojë për në merkaton e janarit unë them një emër: Zirkze i Mançester Junajtidit. Në Angli po përballet me vështirësi, ndërsa në Itali e kemi parë se çfarë lojtari ka qenë te Bolonja. Nëse vinte mund të realizonte edhe disa gola, ndërsa Junajtidi mund ta jepte lehtësisht në huazim. Ata kanë Hojlund e Rashford që luajnë në atë pozicion. Do të ishte profili perfekt për Juventusin, por gjithashtu do t’i përshtatej Motës pasi është një lojtar me karakteristika të ndryshme nga Vlahoviç. Zirzke nuk është një lojtar që shënon 25 gola në sezon, por ndihmon shumë të tjerët”.

KALULU– “Me afrimin e Kalulut, Xhuntoli është treguar shumë i zoti. Mbetet për t’u diskutuar zgjedhja e Milanit, por ky është një diskutim tjetër. Kalulu më pëlqen sepse është elastik, është i shpejtë, agresiv dhe që mund t’i besosh atij. Ndaj Lajpcigut e kemi parë që të vrapojë me top në këmbë për 60 metra. Ka personalitet. Megjithatë, do të thoja se Juvja ka nevojë të rifitojë Danilon sepse edhe ai në qendër është përshtatur. Kjo i takon trajnerit që të bëjë të gjithë lojtarët të ndihen të rëndësishëm”, tha ndër të tjera Paolo Di Kanio.

PANORAMASPORT.AL

You may also like