MOSKË – Rusia ndalon promovimin e stilit të jetesës pa fëmijë

by admin
Spread the love

MOSKË, 17 tetor /ATSH-DPA/- Parlamenti rus ka vendosur një ndalim për promovimin e stilit të jetesës pa fëmijë.

Masat, të miratuara sot nga Dhoma e Ulët, ose Duma e Shtetit, janë një përgjigje ndaj shqetësimeve se në vend po lindin shumë pak fëmijë.

Njerëzit që mbështesin mungesën e fëmijëve në Rusi së shpejti mund të përballen me gjoba të rënda, që variojnë nga 400,000 rubla (4,100 dollarë) për qytetarët e zakonshëm, deri në 5 milion rubla për personat juridikë.

Një shumicë e madhe e deputetëve votuan pro masave. Gjatë diskutimit u tha se “ideologjia e mungesës së fëmijëve” çon në rënien e vlerave tradicionale në shoqëri dhe përfundimisht në zhdukjen e popullsisë.

Presidenti rus Vladimir Putin është ankuar për rënien e shkallës së lindjeve në Rusi prej vitesh, pa pasur ndikim të madh në të.

>

Deklarata më e fundit zyrtare e Putinit për këtë çështje ishte se familjet ruse duhet të kenë tre ose më shumë fëmijë dhe se kjo duhej të ishte normë.

Sipas informacioneve zyrtare, ai vetë ka dy vajza.

Ka disa arsye për rënien e shkallës së lindjeve në Rusi. Për shembull, në vitet 1990, të cilat u karakterizuan nga varfëria dhe kaosi, lindën relativisht pak fëmijë që tani janë mjaft të rritur për të pasur vetë fëmijë.

Sipas shifrave të përpiluara nga agjencia e statistikave “Rosstat” në vitin 2023, gratë në Rusi lindin mesatarisht 1,41 fëmijë.

Organi i pushtetit të Putinit është përpjekur për vite të tëra të krijojë stimuj financiarë për të pasur fëmijë.

Ka pasur gjithashtu diskutime nëse duhej të rivendosej një taksë për personat pa fëmijë, siç ishte rasti në Bashkimin Sovjetik. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like