MOLDAVI – Kampi pro-BE kryeson me një diferencë të vogël në referendum

by admin
Spread the love

KISHINEV, 21 tetor /ATSH-DPA/- Ish-republika sovjetike e Moldavisë me sa duket ka votuar me një shumicë të vogël për të përfshirë në kushtetutë një kurs pro-Bashkimit Evropian, megjithëse rezultati nuk është përfundimtar.

Referendumi po vëzhgohet nga afër në Bruksel, por shpresat për një rezultat të fortë në favor të BE-së, e cila premtoi 1,8 miliardë euro ndihmë ekonomike për Moldavinë këtë muaj janë shuar.

Moldavia, e vendosur mes Ukrainës dhe Rumanisë, është një kandidate për anëtarësim në BE, por tradicionalisht ka qenë e ndarë midis Perëndimit dhe Rusisë.

Me 98,3% të votave të numëruara, komisioni zgjedhor tha se 50,08% e pjesëmarrësve votuan në favor të ndryshimit të kushtetutës për përfshirjen e lidhjeve më të ngushta me BE-në si qëllim strategjik. Rreth 49,92% ishin kundër, duke zbuluar forcën e kampit pro-rus.

Duke qenë se votimi është jashtëzakonisht afër, rezultati përfundimtar mund të ndryshojë ende nga numërimi paraprak.

>

Më herët, u duk sikur kampi kundërshtues ishte përpara.

Presidentja Maia Sandu u ankua për mashtrim masiv elektoral gjatë natës duke e lënë të paqartë nëse do ta njihte rezultatin.

52-vjeçarja fitoi zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në të njëjtën kohë të dielën, por ajo nuk arriti një shumicë absolute.

Themeluesja e Partisë pro-perëndimore të Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) do të duhet të përballet me një balotazh më 3 nëntor. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like