Me sytë nga Teknologjia e Informacionit  

by admin

Deada Hyka

 

Viti 2024 ka qenë i mbushur me sfida për sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT) në Shqipëri. Ndër sfidat kryesore, padyshim, ka qenë mungesa e fuqisë punëtore të specializuar.

Kompanitë në tregun shqiptar pohojnë se, pavarësisht interesit në rritje për profesionet ICT, mungesa e burimeve të kualifikuara vazhdon të jetë problem thelbësor.

“Shumë të rinj kanë zgjedhur emigracionin si opsion kryesor, duke krijuar boshllëqe në treg” – pohojnë nga kompania “Lufthansa Industry Solutions”.

Përshtatja e ngadaltë ndaj teknologjive të reja është një tjetër problematikë që shoqëroi tregun gjatë vitit që lamë pas.

Shumë kompani shqiptare hasën vështirësi në adoptimin e teknologjive si Inteligjenca Artificiale (AI), Interneti i Gjërave (IoT) dhe blockchain, për shkak të kostove të larta ose mungesës së njohurive, sipas menaxherëve në kompaninë “Dev al”.

Gjithashtu, infrastruktura dixhitale e pamjaftueshme raportohet si problematikë.

Edhe pse janë bërë hapa përpara, infrastruktura teknologjike në zonat rurale mbetet e dobët, duke kufizuar përhapjen e shërbimeve ICT në mbarë vendin. Dhe duke e kufizuar tregun vetëm brenda në kryeqytet” – thotë Armand Sharra, nga kompania “Infosoft”.

Sipas kompanive, edhe konkurrenca rajonale është një element që duhet konsideruar në sfidat afatgjata për sektorin. Vendet fqinje, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut, po investojnë ndjeshëm në ICT dhe mund të joshin talentet shqiptare, krahas emigracionit masiv.

Një tjetër sfidë, sipas Shkëlqim Kërlukut, nga “Advanced Business Solutions”, është mbrojtja e të dhënave. Sipas tij, me rritjen e shërbimeve dixhitale, do të ketë nevojë urgjente për rregulla më të forta dhe për përforcimin e sigurisë kibernetike.

Viti 2025 duket të jetë vendimtar për sektorin ICT në Shqipëri. Me investime të reja, fokus në inovacion dhe mbështetje nga institucionet ndërkombëtare, vendi ka potencialin për të konsoliduar pozicionin e tij si një qendër teknologjie në rajon.

Megjithatë, sukseset do të varen nga aftësia për të kapërcyer sfidat dhe për të përshpejtuar proceset e transformimit dixhital.

 

“Fokusi te siguria kibernetike dhe qendrat e të dhënave”

Flet Shkëlqim Kërluku, co-CEO i “Advanced Business Solutions”

Teknologjia ka transformuar mënyrën se si bizneset operojnë dhe zgjidhjet inovative janë bërë thelbësore për suksesin në një treg gjithnjë e më konkurrues.

Në këtë kontekst, “Advanced Business Solutions” është një nga kompanitë e këtij sektori në Shqipëri, që ndihmon klientët vendas dhe ndërkombëtarë të përqafojnë transformimin dixhital.

Nga përmirësimi i proceseve të biznesit deri tek adresimi i sigurisë kibernetike, bashkëdrejtuesi i kompanisë Shkëlqim Kërluku ndan pikëpamjet e tij për të ardhmen e sektorit dhe potencialin e Shqipërisë, si një qendër rajonale për shërbimet ICT.

 

Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj gjatë vitit 2024? Cilat janë pikat kryesore të rritjes?

Falë transformimit dixhital dhe kërkesës nga sektori publik dhe privat për zgjidhje të reja teknologjike, viti 2024 ishte i suksesshëm në shumë aspekte.

Ndër fushat më të rëndësishme të rritjes ishte ajo e automatizimit, sigurisë kibernetike dhe zhvillimit të software-ve, ndërkohë që planifikimi dhe ngritja e qendrave të të dhënave (Data Center) mbetet sektori ku vazhdojmë të kryesojmë.

Vitet e fundit vihet re një kërkesë e madhe për aplikimin e zgjidhjeve të personalizuara dhe integrimet e teknologjive të reja, duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e kërkesës për produktet dhe shërbimet e ofruara nga kompania jonë.

 

Cilat janë shërbimet dhe produktet më të kërkuara nga klientët vendas dhe ndërkombëtarë?

Ndër produktet më të kërkuara nga klientët vendas do të theksoja transformimin dixhital të proceseve të biznesit (përfshirë harduer dhe softuer) si dhe ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave, ndërsa për klientët e huaj do të veçoja shërbimet e kontraktuara për zhvillimin e proceseve të caktuara të softuerëve, shërbimet cloud, si dhe planifikimin dhe ndërtimin e infrastrukturave komplekse teknologjike të qendrave të të dhënave (Data Center).

 

Si e vlerësoni rolin e Shqipërisë, si një destinacion për shërbimet ICT në rajon dhe më gjerë?

Shqipëria po fiton njohje si një qendër konkurruese në ICT falë kostove të ulëta, fuqisë punëtore të re dhe të arsimuar, si dhe pozicionit gjeografik të favorshëm.

Me shumë gjasa, vendi ynë do të vazhdojë të ruajë këtë pozicion edhe në vijim, duke pasur parasysh se ky sektor ka një mundësi të madhe për rritje dhe gjithnjë e më shumë kompani ndërkombëtare priren të shqyrtojnë Shqipërinë si një destinacion i mundshëm për operacionet e tyre të ICT.

Gjithsesi, mungesa e një rrjeti të zhvilluar infrastrukturor dhe trajnimeve të vazhdueshme për të mbajtur hapin me inovacionet globale mbetet sfidë.

 

A ka ndikuar transformimi dixhital në rritjen e kërkesës për zgjidhje teknologjike nga bizneset vendase?

Edhe këtë vit, sektorët të cilët kanë pasur rritjen më të madhe të kërkesës për zgjidhje teknologjike nga bizneset vendase janë sektori bankar dhe ai i telefonisë së lëvizshme, ndërkohë që sektorë të tjerë kanë pasur rritje kërkese më modeste dhe të fokusuar në optimizimin e proceseve të punës.

Besojmë se kjo lidhet me faktin që në Shqipëri, mungojnë ende sektorë të atyre përmasave të cilat kërkojnë të aplikojnë zgjidhje teknologjike të avancuara në proceset e tyre të punës.

Ndërkohë, besojmë se këtë vit, një vëmendje të veçantë mund të marrë sektori i prodhimit të energjisë elektrike (parqet fotovoltaike), të cilat, ndërmjet të tjerave, kërkojnë zgjidhje teknologjike të avancuara.

 

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni në Shqipëri, qoftë në aspektin e fuqisë punëtore, infrastrukturës apo legjislacionit?

Identifikimi i Shqipërisë, si një destinacion të shërbimeve të ICT, sigurisht që shoqërohet edhe me sfida me të cilat përballemi në mënyrë sistematike.

P.sh. rritja e kërkesës për shërbime ICT ka krijuar një hendek gjithnjë e më të madh mes kërkesës dhe ofrimit të profesionistëve të kualifikuar në teknologji dhe ky boshllëk mund të pengojë zhvillimin e shpejtë të industrisë dhe ta bëjë të vështirë për kompanitë vendase të ruajnë qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në tregun shqiptar dhe atë rajonal.

Një sfidë tjetër vazhdon të mbetet infrastruktura. Ndërkohë që në qytetet kryesore rrjeti dixhital dhe aksesibiliteti ka pasur përmirësim të ndjeshëm, nuk mund të themi të njëjtën gjë për zonat rurale.

Këto zona shpesh hasin vështirësi në lidhje me infrastrukturën dixhitale, duke përfshirë shpejtësinë e internetit dhe mbulimin e dobët të rrjeteve, gjë që i bën ato më të izoluara në krahasim me qytetet.

Kjo situatë e bën të vështirë për profesionistët dhe bizneset të përdorin shërbime të avancuara online ose të krijojnë mundësi për punë nga distanca, duke penguar aksesin në mundësi të ndryshme që ofron teknologjia.

Për sa i përket legjislacionit në fushën e ICT, unë nuk do ta identifikoja si element frenues, përkundrazi deri më sot, ne kemi një pafundësi zgjidhjesh teknike, standardesh dhe produktesh.

Megjithatë, kjo hapësirë dhe liri veprimi sigurisht që sjell produkte apo zgjidhje të panjohura apo të patestuara në Shqipëri që përkthehen në rrezik dhe cenojnë përfitueshmërinë ekonomike.

Ne jemi të mendimit se të paktën në sektorin publik dhe në disa sektorë të një rëndësie të veçantë nga sektori privat (bankat, kompanitë e sigurimit, etj.) duhet të aplikohen zgjidhje teknike të standardizuara dhe e vetmja mënyrë është përgatitja e manualeve teknike ku të vendosen kërkesat minimale teknike të detyrueshme.

Kujtojmë se disa institucione (p.sh. AKSHI apo Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë) kanë identifikuar disa zgjidhje standarde për këto produkte.

Në këtë mënyrë, sektori ynë e ka më të lehtë të fokusohet në produkte të certifikuara dhe të standardizuara, duke garantuar shërbime edhe më profesionale.

 

Si e vlerësoni rolin e institucioneve shtetërore në mbështetjen e sektorit ICT? A ka ndonjë politikë që ka ndihmuar ose penguar zhvillimin tuaj?

Politikat e stimujve fiskalë dhe investimet në arsimin teknologjik janë hapa të rëndësishëm, por nevojitet më shumë fokus në mbështetjen për ruajtjen dhe sigurinë e të dhënave.

Megjithëse vitet e fundit janë ngritur struktura shtetërore që kujdesen për rregulloret mbi sigurinë e të dhënave sërish ka shumë nevojë për përmirësimin legjislativ mbi sigurinë e të dhënave në mënyrë që të aplikohen standardet më të mira konform direktivës europiane.

Aplikimi i zgjidhjeve teknike të standardizuara do të ishte një politikë tejet pozitive për të gjithë aktorët e përfshirë në këtë sektor.

>

Në mënyrë të veçantë, do të theksoja nevojën për vendosjen e standardeve në fushën e sigurisë kibernetike.

Mbrojtja nga sulmet kibernetike vazhdon të mbetet si një alternativë ku zgjidhjet teknike përcaktohen sipas vlerësimit individual të institucionit dhe nuk ndjekin standarde që duhen të jenë subjekt i analizave dhe miratimit nga institucionet e specializuara.

Nëse në qeverisjen qendrore, institucionet përpiqen disi që të ruajnë një lloj standardi, në institucionet vendore, ky standard vendoset jo në mënyrë profesionale.

 

Cilat janë pritshmëritë dhe planet për sektorin ICT në vitin 2025? A parashikoni një zgjerim të tregjeve apo ndryshim në shërbimet që ofroni?

Pritshmëritë dhe planet për sektorin ICT në vitin 2025 përfshijnë: rritjen e përdorimit të teknologjive të avancuara, fokusin në zgjidhjet për sigurinë kibernetike, transformimin dixhital në sektorin publik dhe privat, bashkëpunimin e sektorit publik me sektorin privat, përballjen me sfida të burimeve njerëzore dhe përshpejtimin e tranzicionit në Energji të Gjelbër.

Zhvillimi i kompanisë sonë ndër vite është maturuar mjaftueshëm për përballjen edhe me tregjet ndërkombëtare, me fokus në rajon, por edhe në Europë.

Më tepër se shtim të shërbimeve, si përfshirja e Inteligjencës Artificiale në zgjidhjet e ofruara, parashikohet rritje e investimeve në trajnime dhe certifikime për të përmbushur kërkesat e tregut.

 

Si e shikoni zhvillimin e tregut të punës në ICT? A është Shqipëria në gjendje të mbajë talentet teknologjike?

Është fakt që vitet e fundit, Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon me numrin më të lartë të të diplomuarve në fushën e IT për frymë dhe se numri i të punësuarve pranë institucioneve dhe ndërmarrjeve si specialistë të TIK është duke u rritur nga viti në vit.

Kjo tregon se tregu ka potencial për rritje, por Shqipëria duhet të përmirësojë kushtet për të mbajtur talentet, duke përfshirë paga konkurruese, mundësi zhvillimi profesional dhe akses në projekte ndërkombëtare.

 

“Sfida e sektorit është si të mbajmë talentet lokale”

Flet Gjergji Robo, drejtues i “Smartwork”

 

Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT) në Shqipëri ka shënuar zhvillim të qëndrueshëm, duke u konsoliduar si një pikë e rëndësishme për shërbimet dhe inovacionin teknologjik në rajon.

Gjergji Robo, nga “Smartwork”, ndan ecurinë e kompanisë gjatë vitit 2024, strategjitë e saj për të adresuar sfidat e sektorit dhe pritshmëritë për të ardhmen, me fokus në zgjerimin e tregut dhe avancimin teknologjik.

 

Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj gjatë vitit 2024? Cilat janë pikat kryesore të rritjes?

Viti 2024 ka qenë me përmirësim të ndjeshëm për ne, duke marrë në konsideratë tranzicionin e tregut të ICT-së në Shqipëri. Në vëmendjen tonë ka qenë shtimi i shërbimeve në lidhje me kërkesat e reja që kanë klientët.

Sigurisht, kjo ka sjellë nevojën për trajnimin e burimeve njerëzore sipas këtyre specifikave.

 

Cilat janë shërbimet dhe produktet më të kërkuara nga klientët vendas dhe ndërkombëtarë?

“Smartwork” ofron shërbime për klientë ndërkombëtarë, në implementim dhe mirëmbajtje sistemesh financiare si SAP, Business Central, Dynamics 365, etj.

Kërkesat për konsulentë dhe zhvillues në këto teknologji vijojnë të jenë të larta. Ne po punojmë për të sjellë në Shqipëri projekte interesante për kolegët, si dhe trajnimin e alokimin e specialistëve sipas teknologjive që zotërojnë.

 

Si e vlerësoni rolin e Shqipërisë si një destinacion për shërbimet ICT në rajon dhe më gjerë?

Shqipëria është një qendër konkurruese për shërbimet ICT në rajon. Të rinjtë e talentuar, përvoja dhe lehtësitë për të investuar janë faktorë të rëndësishëm që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për klientë të huaj.

Megjithatë, për të maksimizuar këtë potencial, nevojiten përmirësime të mëtejshme në infrastrukturën dixhitale dhe edukimin profesional.

 

A ka ndikuar transformimi dixhital në rritjen e kërkesës për zgjidhje teknologjike nga bizneset vendase?

Po, transformimi dixhital ka ndikuar në rritjen e kërkesës për zgjidhje teknologjike nga bizneset vendase.

Pavarësisht se ne nuk operojmë me bizneset lokale, për shkak se sistemet tona janë komplekse, vihet re se ato e kanë kuptuar rëndësinë e teknologjisë në përmirësimin e proceseve të tyre.

Transformimi dixhital ka nxitur një rritje të madhe të kërkesës për zgjidhje të personalizuara për proceset e tyre të menaxhimit.

 

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni në Shqipëri, qoftë në aspektin e fuqisë punëtore, infrastrukturës apo legjislacionit?

Në vitin 2024, sfida kryesore ishte mbajtja e specialistëve dhe ekspertëve në Shqipëri. Tashmë, sfida dhe fokusi janë në kthimin e tyre në Shqipëri.

Duke qenë vetë një shembull i tillë, kam këshilluar dhe nxitur miq të suksesshëm në botë të kthehen. Sot, ata janë drejtues të kompanive me klientë ndërkombëtarë dhe staf të specializuar, falë projekteve, trajnimeve të ofruara dhe dëshirës së tyre për t’u rritur profesionalisht.

 

Si e vlerësoni rolin e institucioneve shtetërore në mbështetjen e sektorit ICT? A ka ndonjë politikë që ka ndihmuar ose penguar zhvillimin tuaj?

Institucionet shtetërore kanë bërë hapa përpara në mbështetjen e sektorit ICT, veçanërisht nëpërmjet politikave të orientuara drejt dixhitalizimit.

Mendoj se parku teknologjik Durana është një nismë me shumë vlerë dhe, që do të ndihmojë të gjithë kompanitë në këtë industri.

Falë avantazheve që ofron, do të sjellë në Shqipëri investitorë të rinj. Kjo do të sjellë projekte të reja dhe më shumë mundësi punësimi e bashkëpunimi. Ne jemi të interesuar për të shtrirë aktivitetin tonë në parkun teknologjik Durana, pasi besojmë se do të krijojë avantazhe pozitive për kompaninë.

 

Cilat janë pritshmëritë dhe planet për sektorin ICT në vitin 2025? A parashikoni një zgjerim të tregjeve apo ndryshim në shërbimet që ofroni?

Në Shqipëri, sektori ICT për vitin 2025 besoj se do të njohë një transformim të rëndësishëm nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës dixhitale.

Planet përfshijnë trajnime dhe programe edukimi për të zhvilluar talente të reja në fusha si Inteligjenca Artificiale, duke mbështetur pjesëmarrjen në tregjet ndërkombëtare. Mendoj se në fokus të veçantë do të jetë siguria kibernetike dhe përdorimi i teknologjisë për zhvillim të qëndrueshëm.

Në vitin 2025, synojmë të zgjerojmë praninë tonë në tregjet europiane dhe amerikane, duke u fokusuar më shumë në zgjidhjet e AI dhe automatizimit.

Të gjithë hapat do të ndërmerren në kohën e duhur, duke qenë të fokusuar në rritjen profesionale të kolegëve. Gjithashtu, fushata jonë për të kthyer kolegët e larguar drejt shteteve të tjera do të vijojë të jetë aktive.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like