Mançester Junajtid nis analizën për krizën historike, Ten Hag shkon me pushime

by admin
Spread the love

Mançester Junajtid nuk ka bërë një qasje ndaj Tomas Tuhelit, ndërsa Erik ten Hag ka nisur një pushim të shkurtë me komitetin ekzekutiv të klubit që u takua dje në Londër për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Ten Hag, si zakonisht gjatë pushimit ndërkombëtar së bashku me lojtarët që nuk përfaqësojnë kombëtaret e vendeve të tyre, ka marrë disa ditë pushim për t’u qetësuar, ndërsa beson se do të jetë ende në krye të stolit në “Old Trafford” në fund të pushimit ndërkombëtar. Ai mendon se ka ende mbështetjen e hierarkisë së klubit përpara takimit të djeshëm të pronarëve dhe drejtuesve dhe nuk është informuar prej tyre për një rezultat të ndryshëm.

Ndërsa Tuhel, me të cilin Mançester Junajtid avancoi në bisedimet gjatë verës në lidhje me zëvendësimin e mundshëm të Ten Hagut gjatë një rishikimi të pozicionit të holandezit në verë, nuk ka pasur ene asnjë komunikim zyrtar për të marrë drejtimin e 20 herë kampionëve të Anglisë. Diskutimet me të kishin arritur në fazën e negociatave financiare përpara se të prisheshin pikërisht për shkak të tyre dhe Junajtid vendosi në atë moment se kishte menaxherin më të mirë të momentit dhe vendosi të vazhdonte me Ten Hagun, duke i rinovuar kontratën.

Emërimi i mundshëm i Tuhelit në “Old Trafford” do ta shihte atë të rikthehej në Premier Ligë për të menaxhuar një klub tjetër të madh, për herë të parë që nga largimi nga Çelsi në vitin 2022. Në “Stamford Bridge” ai fitoi Ligën e Kampioneve në sezonin e tij të parë në klub. Edhe mundësia për ta zëvendësuar Ten Hagun me asistentin e tij Rud van Nistelroi po merret në konsideratë, por ish-sulmuesi i “Djajve” nuk do ta donte një gjë të tillë, pasi i druhet reagimit të Ten Hagut.

Më herët ditën e hënë, Sër Xhim Retklif ka mbledhur drejtuesit e klubit, por edhe ishlojtarin Geri Nevil në “Old Trafford” dhe “Carrington” për bisedime, ndërsa në axhendë nuk ishte vetëm e ardhmja e Erik ten Hagut si menaxher, por edhe një stadium të ri 2 miliardë paundësh. Trajneri holandez është nën presion të madh pas një fillimi të mjerë të sezonit, i cili i lë 13 herë kampionët e Premier Ligës në vendin e 14-të në klasifikim, me vetëm tetë pikë nga shtatë ndeshje, fillimi i tyre më i keq ndonjëherë në kompeticion.

Dy barazime në javën e fundit, duke përfshirë atë 3-3 kundër Portos në Ligën e Evropës dhe një ndeshje pa gola kundër Aston Vilës të dielën, kanë i bashkohen një vargu humbjesh, duke vendosur në pozicione të lëkundura Ten Hagun.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

You may also like