LSDM: Mickoski po manipulon opinionin për korridorin 8

by admin
Spread the love

LSDM rikujton opinionin se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë kanë nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit për Korridorin 8, ashtu siç Qeveria e LSDM-së nënshkroi edhe marrëveshjen për hekurudhën e shpejtë Nish – Shkup.

Këto dokumente, theksojnë nga LSDM, janë vendimtare për zhvillimin e infrastrukturës dhe lidhjen e vendit me fqinjët dhe rajonin.

“Gjithçka që duhej të bënte Hristijan Mickoski ishte të dërgonte përfaqësuesin e tij, ministrin e Transportit, në Bullgari ose ta ftonte ministrin bullgar në Shkup dhe të sqaronte të gjitha dilemat rreth projektit. Në vend të kësaj, Mickoski vazhdon të ndryshojë tezat e tij dhe të manipulojë publikun.

A do ta pranojë Mickoski se ka qenë i vetëdijshëm për këtë kur udhëtoi për në Bruksel dy javë më parë për një takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen? Në këtë takim u diskutua për Planin e Rritjes, i cili parashikon përfundimin e Korridorit 8 hekurudhor që lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Planin e rritjes, të përgatitur plotësisht nga Qeveria e LSDM-së, Mickoski e ka konfirmuar vetëm me tri ndryshime, asnjëra prej të cilave nuk i referohet listës së projekteve për Korridorin 8. Këtë dokument Mickoski e ka pasur me vete më 19 shtator, por vazhdon të mashtrojë opinionin.

Poashtu, a do të pranojë Mickoski se LSDM-ja ka propozuar, dhe ai është pajtuar, që të paktën 400 milionë euro nga Plani i Rritjes t’i ndahen hekurudhës? Pse po manipulon opinionin se 500 milionë euro do të shpenzohen nga qeveria jonë për projektin? A e konfirmuan qeveritarët të hënën në Bruksel ndërtimin financiar për hekurudhën drejt Bullgarisë, sipas së cilës pjesëmarrja direkte e shtetit është vetëm 18 milionë euro?”, thonë nga LSDM.

Ky projekt kapital, shtojnë nga atje, është thelbësor për lidhjen rajonale dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut.

MARKETING

>



You may also like