Kosova nën masa dhe kushtëzime shtesë për shkak të dialogut – Shqip

by admin
Spread the love

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili proces, siç tha ai, nuk është duke vazhduar ashtu siç e mbështet aleanca e NATO-s. Në një prononcim për media, Rutte, u shpreh i kënaqur me përpjekjet e Gjermanisë për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, siç ishte takimi në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe fakti që dialogu Prishtinë-Beograd, të cilin e mbështesim, nuk po ec përpara siç do të dëshironim. Jam shumë i kënaqur me takimin që u mbajt në Berlin këtë javë nën udhëheqjen e kancelarit Scholz ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse e di që Gjermania po punon veçanërisht shumë për ta afruar atë grup me BE-në, afër NATO-s, për ata që nuk janë ende në NATO”., tha Rutte

Dinamikë të re në proces të dialogut kërkoi edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit. Ai përsëriti se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë lidhet me rezultate në dialog.

Trysnia e bashkësisë ndërkombëtare për përparim në dialog, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, duhet të bëhen mbi Serbinë, si palë destruktive në procesin e dialogut.

‘’Procesi i dialogut ndodhet në një udhëkryq për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë e cila refuzon të nënshkruaj marrëveshjen bazë të Brukselit, refuzon ta zbatojë atë dhe angazhohet për ta shkelur atë. Kjo marrëveshje është shkelur tashmë disa herë nga ana e Serbisë, ndërkohë që nuk kemi pasur reagim të vendosur, të drejtpërdrejtë të BE-së si fasilitues i këtij procesi. Nuk mund të paguaj Kosova çmimin e destruktivitetit të Serbisë”, tha Rrustemi.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar kushtëzime shtesë për Kosovën dhe Serbinë sa i përket përfitimeve të mjeteve financiare nga plani i rritjes i BE-së.

Sipas zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero, ndarja e këtyre mjeteve e që për Kosovën janë paraparë rreth nëntë milionë euro, do të bëhet vetëm pas vlerësimit të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, i cili ka nën mbikëqyrje edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

>

“Ajo që mund të them është që këto parakushte do të vlerësohen nga Komisioni përpara pagesave, dhe do të llogarisim rolin dhe kontributin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së”., tha Pisonero.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian, po i mban në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës pavarësisht se Qeveria konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se ndërlidhja e dialogut me përfitimet nga fondi i BE-së dhe mos heqja e masave ndëshkuese thellon padrejtësinë ndaj Kosovës.

‘’Ndërlidhja është e gabueshme. Masat kanë qenë të padrejta që në fillim. Masat duhet të hiqen sa me parë sepse Kosova është palë konstruktive. Plani i rritjes së BE-së është mbi bazën e reformave. Kosova ka dorëzuar planin e reformave dhe ato janë miratuar nga BE-ja dhe mendoj se ndërlidhja e Planit të Rritjes duhet të bëhët në raport me përmbushjen e reformave, nuk duhet të devijohet kriteri në një proces që nuk varët vetëm nga Kosova.”, tha Rrustemi për rtv21.

Përparim në proces të dialogut po kërkon edhe SHBA-ja. Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, tha të mërkurën se institucionet e Kosovës i kanë të qarta thirrjet se nevojitet investim më i madh në dialog në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e programit për Partneritet për Paqe në kuadër të NATO-s.

“Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“., tha Smith.

You may also like