Kosova në Bukuresht, Foda e Rexhbecaj: Kemi ardhur për fitore

by admin
Spread the love

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e saj në stadiumin “Arena National” në Bukuresht, ku nesër mbrëma do të përballet me Rumaninë. Trajneri i Kosovës, Franco Foda dhe mesfushori Elvis Rexhbecaj, dolën në konferencë për shtyp.

“Puna ime është ta përgatis ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë e kemi bërë gjatë ditëve të fundit. Pres që nesër të ketë respekt në fushë dhe të tregojmë lojën më të mirë të mundshme”, theksoi Foda.

“Përkundër faktit që kemi pësuar humbje 3-0 në Prishtinë, besoj se me paraqitjen që kemi treguar kemi qenë të përafërt, por kemi pësuar gola të lehtë dhe kjo ka ndikuar në atë rezultat. Sa i përket paraqitjes nuk them se kemi pasur shumë dallim nga kundërshtari. Pastaj, i kemi fituar nëntë pikë ndaj Qipros dhe Lituanisë dhe kjo ka rritur besimin e ekipit”.

“Kemi treguar se kemi bërë një hap përpara. Kemi shumë mungesa të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Besoj se ekipi është më lart se sa ka qenë në shtator dhe besoj e është i gatshëm ta tregojë gjithë potencialin në kërkim të fitores”. 

>

“Është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren. Duhet të jemi agresiv, ta fitojmë topin sa më shpejt. Do të kemi 90 minuta kohë për ta fituar ndeshjen. Gjithçka është në duart tona. Nëse duam vendin e parë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.

Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbecaj, theksoi rëndësinë e kontrollimit të lojës në mesfushë dhe angazhimin e të gjithë ekipit për të fituar. “Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë këtë javë. Besoj se jemi gati, e dimë se çfarë atmosfere na pret, por ne jemi futbollistë profesionistë të gjithë, jemi të përgatitur 100% për ndeshjen kundër Rumanisë”.

“Na duhet që ta kontrollojmë lojën në mesfushë, por duhet të gjithë të luftojmë së bashku, pasi kemi ekip shumë cilësor në ofensivë. Do të luajmë të bashkuar në mënyrë që ta dominojmë lojën”, tha Rexhbecaj.

You may also like