Sot në ora 20:45, Milani pret Veronën në “San Siro” për ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të Serisë A.Serxho Konseisao e di fort mirë se i kërkohet vazhdimësia në kampionat pas suksesit të javës së kaluar kundër Empolit, por njëkohësisht nevojitet një përgjigje pas humbjes të së mërkurës në Champions. Moment delikat për kuqezinjtë, por njëkohësisht edhe vendimtar, sepse, nëse sot është ndeshja, të martën është sfida e kthimit kundër Fejnordit. Për këto dy etapa, trajneri kuqezi ka folur për televizionin e klubit.
A është e vështirë të ndryshosh një sezon të tillë?
Vështirë, por jo e pamundur. Unë dhe stafi im jemi këtu për të ndryshuar situatën dhe për t’i bërë katër muajt e fundit të ndryshëm. E dimë që nuk është e lehtë, edhe koha për punë është e paktë, por kemi marrë përsipër një mision që duam ta përmbushim me sukses.
A mund ta kthejë Milani situatën për tri ditë?
Është problem të punosh për tri ditë. Udhëtuam të enjten dhe sot (dje) e gjejmë veten para ndeshjes. Aq më tepër që tri ditë më pas kemi ndeshjen e kthimit me Fejnordin. Situata është ajo që është: nëse të gjithë arrijmë të japim pak më shumë dhe të ngremë nivelin, ndeshjet bëhen më të lehta.
A i ka kjo organikë cilësitë për të bërë gjithçka që po thoni?
Unë kam një grup me cilësi teknike dhe duhet të shtojmë karakteristika të tjera për të fituar ndeshjet. Kam besim total tek të gjithë djemtë dhe te klubi që e ka vërtetuar me fakte se sa na mbështet dhe beson te ne.
Mos e nënvlerësuat Fejnoerdin dhe a ka rrezik që edhe Verona të nënvlerësohet?
Jam mësuar të respektoj gjithçka dhe të gjithë. Nga ana ime, serioziteti është maksimal. Përgatitja për ndeshjen e radhës ishte e njëjtë me një finale të Ligës së Kampioneve. Nuk do ta bëj kurrë gabimin e nënvlerësimit, sepse e di sa kam punuar për të arritur deri këtu dhe e kam bërë duke respektuar kundërshtarin gjithmonë.
Jeni të kënaqur me modulin e ri, pra 4-4-2-shin?
Në fund të fundit, të gjithë jemi shumë të mirë për të komentuar, edhe unë madje. E zgjodha atë skemë në një moment në stërvitje, por ishin katër lojtarë ofensivë plus shtatë të tjerë. Gjithçka vërtitet rreth interpretimit e jo individëve. Jam unë ai që duhet të gjej ekuilibrin e duhur dhe po punoj për këtë.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL