Komunikata 59-të është sherri më i madh i lyer me benzinë që e ka kallë jo vetëm Drenicën, por edhe më larg – Shqip

by admin
Spread the love

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Fadil Gecit iu prezantua një deklaratë e Rexhep Selimit, ku kishte thënë se ai që e kishte vrarë Abedin Rexhën ishte Gani Geci.

Mirëpo, një gjë të tillë e mohoi Fadil Geci, i cili tha se kur flasim për bërthamat e UÇK-së, nuk duhet ta harrojmë Abedin Rexhën-Sandokanin, i cili sipas tij u vra “nga dora e tradhtarit”.

“Abedini dhe tre komandantë të tjerë kanë vdekur në betejë. Zona Operative e Drenicës dha katër komandantë brigadash në këtë luftë. Abedin Rexhën, Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën dhe Mujë Kransiqin. Vrasja e Komandantit Sandokan është një vrasje në vazhdën e vrasjeve nga tradhtia e njerëzve të mëdhenj. Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit në pritë, ashtu siç kemi raste gjatë historisë tonë kur njerëzit e medhenj vriten nga tradhtarët”, lexoi prokurori James Pace përgjigjen e Rexhep Selimit në një inervistë.

Tutje, prokurori lexoi se Rexhepi kishte thënë se duhet të thuhet e vërteta mbi vrasjen e Rexhës.

“Kjo nuk bën të fshihet. Përkundrazi, në atë momet kur fshihet bëhet një atentat i dytë mbi Abedinin. Prandaj, duhet që të themi të vertetën lidhur me Abedinin. Vrasja e Abedinit është përfshirë në një komunikatë, në komunikatën 59-të, ku thuhet që ai është vrarë nga Geci. Pse është bërë kjo vrasje, ndërkohë që Abedini mendohet se ishte një perosn shumë i rëndësishëm i UÇK-së në atë kohë. Një shtyllë që njerëzit dëshironin që ta hiqnin”, lexoi prokurori tutje përgjigjen e Selimit në intervistë.

Më tej, Pace lexoi përgjigjen e Selimit, duke thënë se Abedin Rexha është vrarë nga Gani Geci.

“Abedin Rexhën e vrau Gani Geci. Duhet të bëhet analiza se kush është vrarë. Është vrarë një komandant brigade, një ndër themeluesit e UÇK-së në Drenicë, themeluesi i Brigadës 112 dhe një person me kompetencë, e një person që njihej nga popullata. Pse duhet ta fshehim këtë? Ne duhet ta themi të vërtetën”, tha prokurori ,teksa lexoi përgjigjen e Selimit.

Në përgjigjen e tij, dëshmitari Fadil Geci tha se një gjë e tillë është gënjeshtër.

“Ky e din që nuk është ashtu e është rrenë. Rrenë është. Komplet është rrenë. I ka vy, është përfaqësuesi i LPK-së e i drejtimit të kundërt, e ka shkru për palën tjetër se është kështu e është ashtu. Kjo nuk është e vërtetë dhe është krejt rrenë. Forcat e Bujar Bukoshit kanë qenë forca të rregullume brenda sistemit shtetëror të Kosovës. Qaj shtet që e kemi pas”, tha Geci.

Geci theksoi se kanë pasoja edhe sot për shkak të komunikatës 59-të, e që familja e tij vuan në atë drejtim derisa të bëhet e ditur për opinionin që kjo komunikatë është gënjeshtër.

Geci: Si pasojë e komunikatës së 59-të i kemi të plagosur dy vëllezër e të vrarë dy shokë

(Përditësuar, ora 16:41)- Dëshmitari Fadil Geci tha se komunikata e 59-të ka qenë sherr i madh në Drenicë dhe më tej, e që si e tillë ka qenë e rreme.

Sipas tij, si pasojë e kësaj komunikate ata i kanë dy vëllezër të plagosur e dy shokë të vrarë.

“Komunikata 59-të është sherri më i madh i lyer me benzinë që e ka kallë jo vetëm Drenicën, por edhe më larg. E ajo komunikatë është e rreme, shpifëse, dashakeqe, që i ka ba dëm të gjithëve, por familjes time i ka kriju shqetësime të mëdhaja edhe me pasoja të mëdhaja. I kemi pasur dy shokë të vrarë e dy vëllezër të plagum”, tha Geci.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një intervistë që ai e kishte dhënë lidhur me këtë komunikatë.

“Në intervistën që na ke dhënë, ke thënë që lidhur me komunikatën 59-të dhe po lexoj: “E gjithë Drenica u ngritë në këmbë për të nënshkruar deklarata që kjo komunikatë ishte e rreme si kundër Sami Lushtaku dhe të gjithë përfaqësuesit e Drenicës kanë thënë… dhe ky është dokument zyrtar”, lexoi prokurori James Pace.

Geci thotë se Thaçi ia ka puthur dorën: Ai që e bën këtë gjest, është i rrezikshëm për shqiptari

(Përditësuar, ora 16:34)- Fadil Geci tha se ish-presidenti Hashim Thaçi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjatë kohës së luftës dhe në një moment ia kishte puthur dorën.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Geci tha se ai që e bën këtë gjest ishte njeri i rrezikshëm për shqiptarinë.

“Kur jam hy unë, ish kanë tu ju thanë që nuk jam kanë në parti. Unë i thash ti je kanë një javë ditë kryetar i Forumit Rinior të LDK-së në Skenderaj. Tha kam rrejt. I thash ti ke rrejt e je rrenc edhe atëherë edhe sot, e çka te flet ti rren edhe shpif. Më ka marrë për dore edhe më ka qit përjashta mas asaj fjale dhe unë nuk e kuptojsha, s’mujsha me e kuptu. E kam thanë atje e ma anej s’po e çoj. E keni në material, e nuk besoj që ka nevojë ma shumë. Nëse ka, e them edhe ata”, tha Geci.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace, dëshmitari pohoi se Thaci ia kishte puthur dorën, por këtë gjë ai tha se nuk deshi që ta thoshte këtu.

“Aty e kam pa se një person që e bën atë gjest është i rrezikshëm edhe për shqiptari edhe për shokë të vet që kanë me e pa se kush është, se unë atëherë nuk e kam kuptu”, tha Geci tutje.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se edhe Rexhep Selimi kishte shkuar në shtëpinë e tij, por që ai personalisht nuk ishte takuar me atë.

“Kemi bisedu me vllazën. Ganiu më ka trgeu që ka qenë Rexhepi. Se me kanë ka qenë, tash… nuk e kam pyet në detaje, por një më ka thanë që Rexhepi i ka thanë që unë jam Rexhep Selimi- diçka emër i madh, kurse Ganiu i ka thënë që unë jam Gani Geci e hup prej ktuhit”, tha Geci.

Kur u pyet se kur ka vdekur Abedin Rexha, dëshmitari kërkoi që të bëjë një sqarim.

“Jeni profesionalista të gjithë, gjykatë e nderuar”, tha dëshmitari, por që fjala e tij u ndërpre nga prokurori Pace.

Pace kërkoi të dijë se a e mban mend dëshmitari se në çfarë viti ka vdekur Abedin Rexha.

“Unë mendoj edhe ju duhet me e hjek prej kreje. Ajo është marrë Mjekësia Ligjore, grupi i ekspertëve të EULEX-it, obduksioni dhe u kry. Unë mendoj si jurist ashtu”, tha Geci.

Dëshmitari tha se ai e kishte dëgjuar në përkthim që prokurori e kishte pyetur se ‘kur është vra Abedin Rexha”.

Po ashtu, Geci tha se mendon që më 1998-ën ka vdekur Abedin Rexha, por që kërkoi falje se sipas tij mund të ketë pasaktësi me arsyetimin se nuk është i mirë me datat.

Fadil Geci: Pas familjes Jashari tentuan të na likuidojnë familjen tonë, atyre që shkruan komunikatën 59 duhet t’iu bëhet ADN-ja

(Përditësuar, ora 15:46)- Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Fadil Geci, tha se pas familjes Jashari, tentuan që ta likuidojnë familjen e tij, duke përfshirë edhe vëllanë e tij.

Ai gjithashtu tha se ata që shkruan komunikatën 59-të nuk munden me qenë shqiptarë dhe se duhet të iu bëhet analiza e ADN-së.

Fillimisht, dëshmitarit iu kërkua që të tregojë se a ka ndonjë rast konkret ku dikush nga LPK-ja ka thënë që Qendra e Këshillit të Emergjencave që ishte në shtëpinë e Gecit duhet të ndryshonte.

“Veç bisedë që është ba, veç bisedë që është luhatë ajo dihet se kah ka ardhë ajo frymë. Këta e pamë ma vonë me komunikatën 59. Mbas familjes Jashari, tentuan që të na likuidojnë familjen tonë, vëllain tonë dhe me e heq prej ndikimi në atë terren me rrena e shpifje që është turp. Mendoj që ata njerëz që kanë shkruar komunikatën 59-të, duhet me ua bë ADN-në se mundem me qenë qergash e jo shqiptarë”, tha Geci.

Dëshmitarit iu kërkua që të tregojë se kush janë personat që kanë kërkuar që të ndryshohet vendi i Këshillit të Emergjencave, por përgjigja e tij nuk u dëgjua.

Ndërsa, prokurori James Pace menjëherë pyeti dëshmitarin a e ka bërë Jakup Krasniqi ndonjë pohim të tillë në publik. Kjo pyetje nxiti reagimin e mbrojtjes së të akuzuarit, duke thënë se kjo është pyetje orientuese, e që u rrëzua nga trupi gjykues.

“Prej Prishtine, thojke Zoti ju ndihmoftë, Zoti ju ndihmoftë, Zoti ju ndihmoftë e na ishim në luftë, dikur erdhi ai u bë kryesori e na nuk dishim cila është e vërteta. Prej Prishtine në telefon se janë kanë atëherë një telefon me rrjet për çdo ditë nashta është shumë, por kur ka mujt thojke Zoti u ndihmoftë, po edhe ajo është fjalë e mirë se na ka ndihmu Zoti”, tha Geci.

Fadil Geci: Kanë qenë grupet e ndara për shtet dhe pushtet, disa prej atyre që ishin në të dytin janë këtu e unë do të ballafaqohem me ta

(Përditësuar, ora 15:33)- Fadil Geci, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se në Kosovë kanë qenë dy grupe, njëri për shtet e tjetri për pushtet.

Geci tha se në grupin e parë ka qenë ai së bashku me anëtarët e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ndërsa, në grupin e dytë sipas tij bëjnë pjesë disa prej të akuzuarve në Hagë, e që sot ai është aty për t’u ballafaquar.

>

“Organizimi shtetëror, mbrojtja e Kushtetutës, lufta brenda sistemit, aso çfarë e kishim, ka qenë një drejtim që kemi qenë tanë unik. 99 %  e popullit të Kosovës kemi qenë një vend edhe dikur në momentin pas Jasharajve kanë ardhë një grup prej jashtë që e përfaqësonin një grup, që janë disa këtu e disa që janë kanë mrena dhe na kanë përça popullatën në përgjithësi se në Kosovë kanë qenë dy grupe, njëri për shtet e tjetri për pushtet”, tha Geci.

Ai shtoi se grupit të parë i ka prirë ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“E grupi që ka qenë për shtet jam unë në krye me presidentin Ibrahim Rugova- po mbaj përgjegjësi për Drenicën. Kurse, grupi që ka qenë për pushtet janë disa këtu që po i shoh dhe të na shpjegojnë qysh çka, e unë jam këtu për me u ballafaqu me ta”, tha Geci.

Sipas Gecit, grupi i dytë ka qenë më ngjyrim marksist-leninist që e ka pasur “kokën” në Rusi, e që janë quajtur LPK. Ndërsa tha se grupi tjetër është ai i LDK-së që e ka pasur kryesinë në Amerikë.

“Grupi i parë e ka quajt Amerikën armik, kurse ne kemi thënë se vetëm Zoti dhe Amerika-anglo-amerikanët së bashku me popujt demokratik kanë me na arritë me na çliru. Unë e kam mbrojtë këtë drejtim”, u shpreh Geci.

Gjithashtu, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurorit James Pace, është një intervistë e Komandant Selimit (Sylejman Selimit). Ai tha që nuk i ka parë këto shënime më përpara, deri tash në Hagë.

Prokurori tha se intervistuesi e pyet Selimin se cilët njerëz përbënin bërthamën e Prekazit dhe fshatrave të tjera, që më vonë do të merrte strukturë ushtarake dhe do të shtrihej në tërë Drenicën.

Më pas, Pace shpjegoi se përgjigja e Selimit ishte se grupin e hershëm të luftëtarëve të Prekazit e përbënin : Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sahit Jahari, Sami Lushtaku dhe Fadil Kodra.

Tutje, prokuroi tha se përgjigja e Selimit ishte që Ademi ishte nip i Gecajve të Llaushës e që Jetullah Geci, Sejdi Geci, Xhevahir Geci dhe Osman Geci ishin luftëtarë të parë Llaushë.

Ndonëse fjala ishte për Sylejman Selimin, dëshmitari e ngatërroi se kush ishte i intervistuari, duke menduar se ishte i akuzuari Rexhep Selimi.

“Është e vërtetë që disa janë ndër të parët, por i ka harru Rexha do, se luftëtarë përpara tanë këtyre edhe përpara Rexhës vetë është Gani Geci. E ka harru me qëllim sigurisht ose po du me thanë gabim, ka harru kështu diçka kumedit çka është ba e ka lanë anash. Familja Geci, vëllezërit Geci janë ndër të parët përpara të gjithëve këtyre në tana proceset edhe te Adem Jashari, edhe te lufta, edhe te paqja, edhe gjithkund. Jam këtu, le t’më pyesin e ju tregoj”, tha Geci.

Sipas tij, e para ishte familja e Adem Jasharit, pastaj ajo Geci.

Me kërkesë të avokatit të Rexhep Selimit, Robert Geoffrey, u sqarua që intervista ishte bërë me Sylejman Selimin dhe jo me të akuzuarin.

Një gjë të tillë e vuri ndër dije edhe prokurori Pace, i cili tha se është e saktë që intervista është bërë me Sylejman Selimin.

Po ashtu, gjatë dëshmisë, dëshmitari tha se pasluftës e ka njohur një person me emrin Maxhun Smajli dhe sipas tij, ka qenë gazetar gjatë luftës e që është djalë i mirë.

Fillimisht, Gecit iu prezantua një fotografi, për të cilën tha se nuk e di kah është marrë, por që i njeh përafërsisht personat në të.

Sipas prokurorit Pace, në përshkrim të fotografisë thuhet që janë Esat Geci, Fadil Geci, Besim Dajaku dhe Sami Hajri.

Kur u pyet për Esat Gecin, dëshmitari tha se të gjithë djemtë e vëllait të tij kanë qenë në luftë.

Për Besim Dajakun, dëshmitari tha se ai ka qenë pjesëmarrës në luftë dhe kontribues deri sa është vra paslufte.

“Deri sa është vra nga disa forca që tash po dihet se nga kanë ardhë. Ka qenë truproje e presidentit Ibrahim Rugova”, tha dëshmitari.

Ndërsa, kur u pyet për Sami Hajrën, nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit për shkak se foli përpara se të hapet mikrofoni.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Geci tha se nuk ka qenë pjesë e zinxhirit komandues.

ZPS për Fadil Gecin: Do të flas për autorësinë e komunikatës 59-të dhe për kërcënimet që Thaçi e Selimi ia kanë bërë Tahir Zemajt

(Përditësuar, ora 14:24)- Prokurori James Pace, përfaqësues i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se dëshmitari Fadil Geci do të flas lidhur me autorësinë e komunikatës 59-të të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Dëshmitari ka luftuar gjatë luftës dhe ka pas pozicione të ndryshme brenda LDK-së, duke përfshirë këtu edhe postet drejtuese të LDK-së në Skenderaj. Dëshmitari jep informacion lidhur me themelimin e LDK-së, strukturën e saj, anëtarësimin dhe aktivitetet dhe marrëdhëniet në mes LDK-së dhe UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet, sulmet nga pjesëtarët e UÇK-së kundër anëtarëve të LDK-së”, tha prokurori.

Prokurori Pace theksoi se kjo komunikatë e etiketonte vëllain e dëshmitarit, Gani Gecin, si bashkëpunëtor dhe se si e tillë ajo kishte pasoja negative mbi familjen e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dëshmia e dëshmitarit përfshinë informacion që ka të bëjë me autorin e komunikatës 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të ’98-ës që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin si bashkëpunëtor si dhe ndikimin negativ dhe pasojën që ka pas kjo komunikatë mbi atë dhe mbi anëtarët e familjes dhe të tjerët”, tha prokurori.

Ndërsa, shtoi se do të japë informacion për kërcënimet që sipas tij, Thaçi dhe Selimi ia bënë Tahir Zemajt.

“Gjithashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, Tahir Zemajt dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës në ose përreth Qirezit në shtator të ’98-ës, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu, dëshmitari jep informacion  lidhur me ndërveprimet, njohuritë apo bisedimet që kanë pasur anëtarët e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selmin dhe Samedin Xhezairin lidhur me këto ngjarje”, tha Pace.

Më 18 shtator 2018, dëshmitari  kishte dhënë dëshmi për ZPS-në, e cila kishte dhjetë pjesë, e që u pranua në prova materiale së bashku me tri materiale përcjellëse.

Fadil Geci është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, iu hoqën masat mbrojtëse

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci është dëshmitari i radhës, i cili filloi të hënën dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ky dëshmitar është i 96-ti me radhë dhe mban kodin W04240. Ai ishte me masa mbrojtëse, por pas seancës private në fillim, atij iu hoqën masat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.

Ndryshe, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, përmes vido-lidhjes është i pranishëm gjyqtari Christoph Barthe.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasaniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/

You may also like