KOMENT – Të 27-t i kërkojnë KE një ligj të ri për përshpejtimin e kthimit të emigrantëve

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Të mbledhur në një samit evropian në Bruksel, të 27-t ngritën zërin kundër emigracionit të parregullt duke bërë thirrje urgjentisht për një ligj për të përshpejtuar dëbimet, pas diskutimeve të cilat gjithashtu theksuan mosmarrëveshjet e forta brenda Bashkimit Evropian.

“Këshilli Evropian bën thirrje për veprim të vendosur, në të gjitha nivelet, për të lehtësuar, rritur dhe përshpejtuar kthimet nga Bashkimi Evropian”, thonë vendet anëtare në përfundimet e samitit.

Ato ftojnë Komisionin Evropian të paraqesë shpejt “një propozim të ri legjislativ”.

”Një nismë e ngjashme dështoi në vitin 2018, por gjashtë vjet më vonë, debati ka evoluar drejt së djathtës të spektrit politik”, vëren një zyrtar evropian.

Më parë, të 27-t diskutuan gjerësisht për “problemet e kthimit”, një propozim për transferimin e emigrantëve në qendrat e pritjes në vendet e treta.

Italia e Giorgia Melonit, kreut të qeverisë dhe të partisë së ekstremit të djathtë ”Fratelli d’Italia”, ka arritur një marrëveshje me Shqipërinë, ku kanë nisur të mbërrijnë emigrantët e parë të arrestuar në ujërat italiane.

Disa zyrtarë evropianë janë distancuar, përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

”Qendrat nuk zgjidhin asnjë nga problemet”, tha edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Si kundërpërgjigje, italianët organizuan një takim jozyrtar të Giorgia Melonit për të promovuar këto zgjidhje novatore kundër emigracionit të parregullt.

Rreth 10 vende ishin rreth tryezës, përfshirë Holandën, Greqinë, Austrinë, Poloninë dhe Hungarinë e nacionalistit Viktor Orban, ku samiti i ardhshëm evropian do të mbahet në Budapest më 8 nëntor.

Mori pjesë edhe Ursula von der Leyen.

Kryeministri polak, Donald Tusk këmbënguli në presionin migrator që pësoi vendi i tij.

>

Polonia akuzon Rusinë dhe Bjellorusinë për organizimin e një fluksi emigrantësh në një sulm hibrid, që synon të destabilizojë Bashkimin Evropian në mes të luftës në Ukrainë.

Duke shkuar kundër tonit të përgjithshëm, spanjolli Pedro Sanchez bëri thirrje për të theksuar përfitimet e emigracionit legal, veçanërisht për punën.

– Presioni nga e djathta ekstreme –

Në maj, Bashkimi Evropian miratoi paktin e migracionit dhe azilit, që supozohet të hyjë në fuqi në mesin e vitit 2026, me një shtrëngim të “filtrimit” në kufij dhe një mekanizëm solidariteti midis të 27-ve në kujdesin e azilkërkuesve.

Gjermania, Franca dhe Spanja po bëjnë thirrje për të përshpejtuar zbatimin e tij.

Çështjet e emigracionit po rikthehen për të tronditur axhendën, e shtyrë veçanërisht nga partitë e ekstremit të djathtë, në rritje në shumë vende evropiane.

”Disa në BE dëgjojnë atë që kemi thënë prej vitesh”, tha liderja e ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen duke kaluar nëpër Bruksel për një takim të ”Patriotëve për Evropën”, politika e forcës së tretë të Parlamentit Evropian pas zgjedhjeve të qershorit.

Disa qeveri kanë ngritur zërin.

“Motori franko-gjerman na shtyn të veprojmë”, sipas një diplomati evropian, ndërsa më pak se 20% e vendimeve për dëbimin e emigrantëve në një situatë të parregullt ndiqen brenda BE-së.

”Migrimi i parregullt duhet të reduktohet dhe BE-ja duhet të mbetet e hapur ndaj emigrimit të punëtorëve të kualifikuar”, argumentoi gjermani Olaf Scholz.

Thirrja për një ligj të ri vjen pasi numri i kalimeve të paligjshme të zbuluara në kufijtë e Bashkimit Evropian ra me 42% gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas kufijve të Agjencisë Evropiane të Mbikëqyrjes Frontex.

Ky samit evropian u mbajt në një fazë tranzicioni në Bruksel, ku ekipi i ri i Komisionit pritet të marrë detyrën në fillim të dhjetorit.

Ajo karakterizohet nga vështirësitë e disa liderëve evropianë në vendet e tyre, veçanërisht Emmanuel Macron, i dobësuar nga shpërthimi i problemeve në Francë dhe lidhja e brishtë me kryeministrin e ri, Michel Barnier, nga e djathta, dhe pa shumicë në Asamblenë Kombëtare./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like