KOMENT – Perspektiva për armëpushim në Gazë jashtë fokusit ndërsa konflikti ndizet në Liban

by admin
Spread the love

KAJRO, 3 tetor /ATSH/- Palestinezët kanë frikë se kriza në Liban po e largon vëmendjen e botës nga Gaza, ku sulmet izraelite shkaktuan vdekjen e dhjetëra personave të tjerë këtë javë – dhe po zvogëlojnë perspektivat, tashmë të zbehta, për një armëpushim – në një luftë që ka shkatërruar enklavën, sipas Reuters.

Një përshkallëzim në konfliktin midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani gjatë dy javëve të fundit ka çuar në përleshje midis forcave izraelite dhe të Hezbollahut brenda Libanit dhe ka nxitur frikën për një luftë më të gjerë rajonale.

Si Izraeli ashtu edhe armiqtë e tij të Hamasit në Gazë thonë se konflikti në Liban mund të ndihmojë për t’i dhënë fund konfliktit të Gazës, por disa analistë, zyrtarë nga vendet ndërmjetësuese dhe banorët e Gazës janë skeptikë.

“Me vëmendjen drejt Libanit, lufta në Gazë rrezikon të zgjatet, tha Ashraf Abouelhoul, kryeredaktori i gazetës shtetërore Al-Ahram në Egjipt, e cila ka ndihmuar në ndërmjetësimin e negociatave të armëpushimit.

“Gjëja më e rrezikshme nuk është se vëmendja e medias po shkon diku tjetër, është fakti që askush në botë nuk po flet tani për një marrëveshje apo një armëpushim dhe kjo e lehtëson Izraelin për të vazhduar ofensivën dhe planet e tij ushtarake në Gazë”, tha ai.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller, u tha gazetarëve se SHBA-ja mbetet e fokusuar në sigurimin e një armëpushimi edhe pse Hamasi për disa javë ka refuzuar të angazhohet.

Zyrtarët e Hamasit dhe diplomatët perëndimorë thanë në gusht se negociatat kishin ngecur për shkak të kërkesave të reja izraelite për të mbajtur trupat në Gazë.

“Vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah nga Izraeli javën e kaluar ndërlikoi shanset për ndërmjetësim”, thanë burimet egjiptiane të sigurisë.

Hezbollahu nisi të gjuante raketa në Izrael në fillim të luftës së Gazës – në mbështetje të Hamasit, duke shkaktuar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve për të cilët Izraeli thotë se duhet të kthehen në shtëpi.

Në Liban, rreth 1 900 persona janë vrarë dhe më shumë se 9 000 të tjerë janë plagosur në Liban – në gati një vit luftime ndërkufitare.

“Shumica e vdekjeve kanë ndodhur gjatë dy javëve të fundit”, sipas statistikave të qeverisë libaneze.

Më shumë se një milion libanezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ministria e Shëndetësisë tha se të paktën 41 788 palestinezë janë vrarë dhe 96 794 janë plagosur – që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

“Lufta në Gazë filloi pasi Hamasi udhëhoqi një inkursion tronditës në Izrael, duke vrarë rreth 1200 banorë dhe duke marrë peng më shumë se 250 të tjerë”, sipas të dhënave izraelite. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like