KOMENT – Meloni i qëndron skemës së kampeve të emigrantëve në Shqipëri, pavarësisht vendimit të gjykatës

by admin
Spread the love

ROMË, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Qeveria italiane e krahut të djathtë ka thënë se synon të vazhdojë të ndjekë planet për të shqyrtuar kërkesat për azil jashtë BE-së, pavarësisht nga një humbje ligjore mbi përpunimin e grupit të parë të emigrantëve, që mbërritën në kampet e reja të Italisë të ngritura në Shqipëria.

Pas vendimit të së premtes nga një gjykatë në Romë, 12 emigrantë, aplikimet e të cilëve supozohej të vendoseshin në Shqipëri, do të duhej të silleshin sot në Itali.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka thënë se do të apelojë kundër vendimit dhe do të mbajë një mbledhje të posaçme kabineti të hënën.

Italia është shteti i parë në BE që ka ngritur qendra për refugjatët jashtë bllokut.

Gjykata e bazoi vendimin e saj në faktin se 12 burrat vijnë nga vende që nuk konsiderohen të sigurta – Egjipti dhe Bangladeshi – duke i bërë ata të papërshtatshëm për skemën e re të migracionit.

Meloni më pas njoftoi se koalicioni i saj i tre partive të krahut të djathtë do të miratonte rregullore të mëtejshme.

“Unë nuk mendoj se i takon gjyqësorit të vendosë se cilat vende janë të sigurta, varet nga qeveria”, tha kreu i partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”.

Pas vendimit të gjykatës, emigrantët po transportohen nga një anije e rojes bregdetare italiane nga Shqipëria përtej detit Adriatik në qytetin portual të Barit në jug të Italisë.

>

Burrat ishin pjesë e një grupi fillestar prej 16 emigrantësh, të cilët u kapën nga autoritetet italiane teksa kalonin Mesdheun dhe u sollën në Shqipëri të mërkurën.

Katër prej tyre më pas u lejuan të vazhdonin rrugën drejt Italisë për shkak se janë të mitur ose kanë probleme të rënda shëndetësore.

Opozita italiane e ka cilësuar tashmë planin e Melonit për të vendosur kërkesat për azil jashtë Italisë dhe BE-së si një dështim.

Në Shqipëri, aplikimet e tyre do të shqyrtohen nga zyrtarët italianë me një procedurë të shpejtë.

Ata që kanë të drejtë azili do të lejohen të udhëtojnë drejt Italisë, ndërsa të gjithë të tjerët duhet të kthehen.

Deri në 3 000 azilkërkues do të strehohen në kampet e sapohapura në të njëjtën kohë.

Megjithatë, vetëm burra të rritur nga vendet e origjinës të kategorizuara si të sigurta duhet të dërgohen atje.

Rregullorja nuk zbatohet për fëmijët, gratë, të sëmurët dhe viktimat e torturës, të cilët mund të shkojnë direkt në Itali.

Plani i diskutueshëm italian po monitorohet nga afër nga shtete të tjera të BE-së./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like