KOMENT – Izraeli nuk arrin të përmbushë kërkesat e SHBA-së për të lehtësuar katastrofën në Gazë

by admin
Spread the love

GAZË, 12 nëntor /ATSH/- Grupet ndërkombëtare të ndihmës thanë se Izraeli kishte dështuar të përmbushte një sërë kërkesash të SHBA-së që synonin të përmirësonin krizën humanitare në Gazë deri ditën e sotme, afati i fundit, sipas Reuters.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan aleatit të tyre Izraelit, në një letër më 13 tetor, se duhej të ndërmerrte hapa për të përmirësuar situatën e ndihmës në Gazën e shkatërruar nga lufta brenda 30 ditëve.

Në të kundërt ai do të përballej me kufizime të mundshme të ndihmës ushtarake amerikane.

“Izraeli jo vetëm që nuk arriti të përmbushë kriteret e SHBA-së – por njëkohësisht ndërmori veprime që e përkeqësuan në mënyrë dramatike situatën në terren, veçanërisht në Gazën Veriore”, thanë tetë grupe të ndihmës, duke përfshirë “Oxfam”, “Save the Children” dhe “Këshilli Norvegjez për Refugjatët” në një raport prej 19 faqesh.

Për më shumë se një muaj, forcat izraelite kanë avancuar më shumë në veri të Gazës, duke rrethuar spitalet dhe strehimoret dhe krijuar valë të reja zhvendosjesh në një operacion që ata thonë se është krijuar për të parandaluar rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit atje.

Të premten, ekspertët globalë të sigurisë ushqimore lëshuan një paralajmërim të rrallë për urinë e afërt në disa pjesë të Gazës veriore – në rast se nuk ndërmerren hapa të menjëhershëm për të lehtësuar situatën.

Ushtria izraelite tha sot se kishte dorëzuar qindra pako me ushqime në zonat e bllokuara të Gazës veriore, ndërsa luftimet ishin ndezur – përpara përfundimit të afatit të SHBA-së për të dërguar më shumë ndihma në enklavën palestineze – ose në të kundërt vendi do të përballej me shkurtime të ndihmës ushtarake.

Mjekët palestinezë thanë se të paktën 24 persona ishin vrarë në sulmet izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë natës dhe sot – duke përfshirë 10 të vrarë në një shtëpi në Beit Hanoun dhe dy të tjerë në qytetin e afërt, Beit Lahiya.

>

“Katër ushtarë izraelitë u vranë në veri të Gazës”, tha ushtria.

Për më shumë se një muaj, trupat izraelite kanë rrethuar skajin verior të Gazës – duke synuar të shtypë militantët e Hamasit që reformohen në zonën përreth qytetit të Jabalia.

Ushtria tha se ka vrarë ose kapur qindra luftëtarë, por Izraeli është përballur me presionin ndërkombëtar në rritje për situatën katastrofike humanitare me të cilën përballen civilët – të cilëve u është ndërprerë ndihma për javë të tëra.

Këtë javë, administrata amerikane në largim pritet të gjykojë nëse Izraeli ka bërë mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën e lëshuar muajin e kaluar – për të dërguar më shumë ndihma në Gazë – tashmë e kthyer në një shkretëtirë pas më shumë se një viti lufte.

Javën e kaluar, një komitet i ekspertëve globalë të sigurisë ushqimore paralajmëroi se zona të caktuara të Gazës veriore ishin në prag të zisë së bukës, një pretendim të cilin Izraeli e hodhi poshtë.

Me afrimin e afatit 30-ditor të vendosur nga Uashingtoni, autoritetet izraelite kanë nxituar për të përmbushur disa nga kërkesat e SHBA-së, por mbetet e paqartë nëse është bërë mjaftueshëm.

Ushtria tha sot se kishte hapur një kalim të pestë në Gaza, një nga kërkesat e SHBA-së, për të cilën tha se do të ndihmonte në marrjen e ushqimit, ujit, furnizimeve mjekësore dhe pajisjeve strehimore në Gazën qendrore dhe jugore.

Ajo tha se qindra pako ushqimore dhe mijëra litra ujë ishin dorëzuar një ditë më parë në qendrat e shpërndarjes për civilët në zonën e Beit Hanoun, në skajin verior të Gazës.

Ushtria izraelite tha se 741 kamionë me ndihma ishin dorëzuar në Gazën veriore përmes kalimit Erez që nga tetori, ndërsa 244 pacientë ishin evakuuar për trajtim. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like