KOMENT – IISS: Bota po përballet me një dekadë më të rrezikshme konfliktualiteti

by admin

PARIS, 13 shkurt /ATSH-AFP/ – Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, pushtimi rus i Ukrainës dhe tensionet rreth Kinës paralajmërojnë një dekadë më të rrezikshme konfliktualiteti, me shpenzimet ushtarake që pritet të vazhdojnë të rriten në mbarë botën, paralajmëron instituti i njohur IISS (International Institute for Strategic Studies).

Edicioni i vitit 2024 i raportit të Bilancit Ushtarak nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me qendër në Londër, thekson se ”bota hyri në një mjedis sigurie shumë të paqëndrueshëM vitin e kaluar”, duke përmendur ”fitoren e Azerbajxhanit kundër separatistëve armenë në Nagorni-Karabah ose grushtet e shtetit në Niger dhe Gabon, dhe beson se ”kjo do të zgjasë”.

“Situata aktuale e sigurisë ushtarake paralajmëron atë që ka të ngjarë të jetë një dekadë më e rrezikshme, e karakterizuar nga një mbështetje e theksuar nga disa në fuqinë ushtarake për të kërkuar kërkesat e tyre… si dhe nga dëshira midis demokracive që ndajnë të njëjtat vlera, për të forcuar lidhjet dypalëshe dhe shumëpalëshe në çështjet e mbrojtjes, në përgjigje të kësaj situate”, përmbledh dokumenti.

– Mijëra tanke ruse u shkatërruan –

Gati dy vjet pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, IISS vlerëson se ushtria e Moskës ka humbur rreth 3 000 tanke ose të gjitha rezervat operacionale që kishte në shkurt 2022. Që atëherë, ajo ka kompensuar humbjet e saj duke u mbështetur kryesisht në stoqet e saj të automjeteve, që nuk ishin në shërbim në atë kohë, të detyruara të favorizojnë sasinë mbi cilësinë.

Kievi, nga ana tjetër, deri më tani ka mundur të kompensojë humbjet e pajisjeve të tij falë ndihmës perëndimore, madje duke fituar cilësi.

Ushtria ukrainase ka demonstruar gjithashtu “zgjuarsi”, veçanërisht në Detin e Zi, me përdorimin e dronëve detarë.

– Rritja e shpenzimeve ushtarake –

Në përgjithësi, shpenzimet ushtarake në botë u rritën me 9% vitin e kaluar, në 2 200 miliardë dollarë (2 000 miliardë euro), e paprecedentë sipas IISS që pret një rritje të mëtejshme këtë vit.

Instituti e shpjegon këtë fenomen kryesisht me luftën në Ukrainë dhe tensionet me Kinën.

Ai vë në dukje se anëtarët e NATO-s jashtë SHBA janë veçanërisht të shqetësuar.

Ky raport publikohet pasi ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili shpreson të rizgjidhet në nëntor 2024, ngriti mundësinë për të mos mbrojtur më vendet e Aleancës që hezitojnë të investojnë në mbrojtjen e tyre, gjë që ngjalli kritika të forta.

Sipas IISS, vetëm 10 nga 31 vendet anëtare të NATO-s po përmbushin objektivin e Aleancës për t’i kushtuar 2% të PBB-së për shpenzimet ushtarake, por 19 e kanë rritur këtë shpenzim.

Raporti vë në dukje se Rusia dhe Kina tani i kushtojnë më shumë se 30% të shpenzimeve të tyre publike në sektorin ushtarak, ndërsa Perëndimi po rrit “ngadalë” prodhimin e tyre të raketave dhe municioneve pas viteve të nën-investimit.

Ai nënvizon, përveç investimeve në teknologjitë e reja, një interes të ripërtërirë për “pajisjet që ishin lënë pas dore, si artileria dhe mbrojtja ajrore” dhe një modernizim të arsenaleve bërthamore kineze dhe amerikane.

– Kina dhe Irani më të pranishëm –

Pekini po vazhdon politikën e tij të modernizimit të forcave strategjike dhe transformimit të ushtrisë së tij në një “forcë projektuese” të aftë për të ndërhyrë larg kufijve të tij, duke çuar në përgjigje të një forcimi të aleancave mbrojtëse të fqinjëve të tij të shqetësuar.

”Kina po afirmohet gjithnjë e më shumë, dhe jo vetëm në fqinjësinë e saj të afërt” si Tajvani, vë në dukje raporti, duke evokuar fluturimin e balonave kineze në qiellin amerikan, vendosjen e anijeve nëpër botë ose përpjekjet diplomatike në disa konflikte të largëta.

IISS gjithashtu vë në dukje se Irani ushtron ndikim në rritje në zona të ndryshme konflikti, me dy shembuj, dërgimin e raketave për rebelët jemenas Houthi, sulmet e të cilëve në Detin e Kuq po prishin tregtinë botërore, si dhe furnizimin me dronë në Rusi për të luftuar Ukrainën./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like