KOMENT – BE vlerëson pasojat e mundshme të luftës ruse për pushtet

by admin

LUKSEMBURG, 26 qershor /ATSH-DPA/- Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan sot pasojat e mundshme të një kryengritjeje të shkurtër nga forcat paraushtarake “Wagner” në Rusi, në fundjavë.

Trupat e “Wagner” avancuan të shtunën drejt Moskës me synimin për të rrëzuar udhëheqjen ushtarake ruse derisa misioni mori fund të papritur.

“Situata mbetet komplekse dhe e paparashikueshme”, tha pas takimit kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baebock, tha se lufta për pushtet në Rusi është larg të qenit e përfunduar.

“Është padyshim vetëm një veprim në këtë dramë ruse. Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me lojtarët e ndryshëm në Rusi”, tha ajo.

“Lufta e Rusisë në Ukrainë ka pasur pasoja shkatërruese në sistemin energjetik të presidentit rus Vladimir Putin, duke çuar në “përçarje masive” në propagandën ruse”, tha Baerbock.

“Ne po e analizojmë këtë nga afër sepse, natyrisht, kjo sjell edhe rreziqe që ne ende nuk jemi në gjendje t’i vlerësojmë për momentin”, shtoi ajo.

“Putini po shkatërron vendin e tij me luftën brutale të agresionit kundër Ukrainës”, theksoi Baerbock.

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Borrell, tha se Putini krijoi një “përbindësh” duke filluar luftën.

“Përbindëshi po e kafshon tani. Përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij”, tha ai, duke iu referuar tentativës për kryengritje nga grupi mercenar rus “Wagner”, në fundjavë.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, paralajmëroi për pasojat e mundshme për Evropën, nëse vendi më i madh në botë me më shumë armë bërthamore në botë do të shkatërrohej.

Ai gjithashtu vuri në dukje ndikimet e tjera të mundshme të luftës për pushtet në Rusi, që mund të sjellë pasiguri për trupat “Wagner” të dislokuara në vendet afrikane, dhe ta bëjnë luftën e vazhdueshme në Ukrainë edhe më brutale.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba iu bashkua ministrave të BE-së përmes një lidhjeje me video, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë humbjen e Rusisë duke rritur mbështetjen për Ukrainën.

“Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur Ukrainën, për të dyfishuar pajisjet ushtarake dhe trajnimin dhe për të ndihmuar në kundërsulmin”, tha Borrell.

“Ministrat e BE-së vendosën të plotësojnë fondin për ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe vendet e tjera partnere me 3,5 miliardë euro të tjera (3,82 miliardë dollarë)”, thuhet në një njoftim për shtyp.

“Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar, BE-ja ka mobilizuar 3,6 miliardë euro nga fondi për mbështetje ushtarake”, sipas shifrave të BE-së.

Baerbock theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën, duke shtuar se Gjermania do të furnizojë Kievin me 45 tanke “Gepard” deri në fund të vitit. //a.i/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like