Ish-trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, ka vënë në dyshim nëse Serxho Ramos është një djalë i mirë, gjashtë vjet pasi ylli i Real Madridit lëndoi Mohamed Salahun në finalen e Ligës së Kampioneve.
Liverpuli dhe Reali i Madridit u përplasën në finalen e Kievit në vitin 2018, me gjigantët spanjollë që fituan 2-1 ndaj skuadrës së Klopit. Një nga momentet kyçe të finales ndodhi në pjesën e parë, kur Ramos lëndoi Salahun, duke e tërhequr prej krahut përpara se mbrojtësi spanjoll t’i rrëzohej sipër. Egjiptiani u largua nga fusha në lot me një dëmtim në shpatull që kërkoi operacion, ndërsa kjo i dha Realit një avantazh.
Ramos do të zemëronte më tej tifozët e Liverpulit jo shumë kohë më vonë, pas një përplasjeje në një goditje këndi me Loris Kariusin, portierin i cili më vonë u diagnostikua me një tronditje në kokë. Gjermani bëri dy gabime të kushtueshme më pas, ndërsa Reali në fund fitoi trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampioneve dhe të 13-in në total. Klop e kishte etiketuar Ramosin si të pamëshirshëm dhe brutal pas finales, duke e akuzuar atë për një lëvizje mundjeje të qëllimshme ndaj Salahut.
Por ish-trajneri i Liverpulit nuk ka ndryshuar ende mendim gjashtë vite më vonë, duke i thënë ish-shokut të skuadrës së Ramosit, Toni Kros se ai nuk do ta kishte dashur kurrë këtë lojtar në klubet e tij. “A është me të vërtetë një djalë i mirë zoti Serxho Ramos?”, tha Klop në programin e Krosit “Einfach mal Lupen”.
“Ai nuk është lojtari im i preferuar. Veprimi ishte brutal. Sigurisht që nuk mund ta dijë që lojtarin e ka pas shpine, por të gjithë e dimë që ai e ka pranuar me shumë kënaqësi. Nuk mund ta kuptoja kurrë atë mentalitet, nuk kam pasur kurrë lojtarë të tillë dhe, kur kam pasur, jam siguruar që ata të largoheshin”.
Kros iu përgjigj kritikës së Klopit, duke deklaruar se Ramos ishte një shok skuadre shumë i mirë. Menaxheri i ardhshëm i klubeve të Red Bullit e pranoi mendimin e Krosit, përpara se të të lëshonte një tjetër shigjetë ndaj ish-kapitenit të Realit: “Ai mund të mos jetë lojtari im i preferuar, por nuk ka rëndësi. Unë gjithmonë kam menduar se qendërmbrojtësit e mi ishin mjaftueshëm të mirë për të mos u përfshirë në veprime të tilla”.
PANORAMASPORT.AL