KIEV, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Rreth 11 000 ushtarë të Koresë së Veriut kanë mbërritur tashmë në zonën kufitare ruse të Kurskut, tha sot Kievi, mes frikës se ata do të vendosen në Ukrainë.
“Ne shohim një rritje të numrit të koreano-veriorëve”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në videomesazhin e tij të mbrëmjes.
Ai tha se informacioni i tij bazohej në gjetjet e shërbimeve te inteligjencës ukrainase.
Kievi supozon se ushtarët e Koresë së Veriut së shpejti do të dislokohen nga Rusia në Ukrainë, megjithëse diplomatët e OKB-së thanë se ata mund të vendosen prapa vijës së frontit për të kryer detyra logjistike.
Mbetet e paqartë nëse ushtarët e Koresë së Veriut do të vendosen për të luftuar në territorin ukrainas ose në zonat e Rusisë të pushtuara nga Ukraina, e cila përfshin pjesë të Kurskut. //a.i/