JEREVAN – Pashinyan: Aleanca ushtarake e udhëhequr nga Rusia kërcënon sigurinë e Armenisë

by admin
Spread the love

JEREVAN, 18 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka kritikuar sërish Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë ushtarake e ish-shteteve sovjetike të udhëhequr nga Rusia, duke akuzuar CSTO-në se kërcënon ekzistencën e Armenisë.

“Ne kemi ngrirë anëtarësimin tonë në CSTO – jo vetëm sepse CSTO nuk po përmbush detyrimet e saj për të garantuar sigurinë e Armenisë – por edhe sepse CSTO po krijon kërcënime për sigurinë, ekzistencën e vazhdueshme dhe shtetësinë e Armenisë”, tha Pashinyan.

Armenia e ka pezulluar anëtarësimin e saj në CSTO – të dominuar nga Moska – në shkurt, pasi Azerbajxhani fitoi kontrollin e plotë të rajonit të kontestuar Nagorni-Karabahut vitin e kaluar dhe mes tensioneve në rritje me Moskën.

“Përçarja me aleancën ushtarake ka zgjatur për dy vjet, me Armeninë që ende pret përgjigje lidhur me pyetjet për sigurinë e saj”, tha ai.

“Sa më gjatë të vazhdojë heshtja, aq më shumë Armenia do të largohet nga aleanca ushtarake”, tha Pashinyan, duke lënë të kuptohet se gjasat për një ndarje të përhershme ishin të mëdha.

Armenia ishte një nga anëtarët themelues të CSTO-së, e themeluar në vitin 1992 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Përveç Rusisë, CSTO përbëhet nga Kazakistani, Bjellorusia, Kirgistani dhe Taxhikistani.

Rusia konsiderohet prej kohësh si fuqia mbrojtëse e Armenisë në rajonin e Kaukazit, duke përfshirë konfliktin për Nagorni-Karabahut, por marrëdhëniet janë ftohur ndjeshëm që kur Pashinyan mori detyrën për herë të parë në 2018. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like