Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besim Mulaj, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për qytetarët që mbështesin partinë dhe vizionin e kryeministrit të ardhshëm, Lumir Abdixhiku, raporton Shqip.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Mulaj ka thënë se mbështetja qytetare është ajo që e frymëzon dhe e nxit atë për të punuar për një Kosovë më të mirë.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, Me zemër plot mirënjohje, ju falënderoj secilin prej jush, kudo në Kosovë, që me kurajë dhe përkushtim keni mbështetur Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe vizionin e Lumir Abdixhikut për Kryeministër. Mbështetja juaj është zëri i ndryshimit, forca që na frymëzon dhe përgjegjësia që na nxit të punojmë për një Kosovë demokratike dhe Euro-atlantike.
Jemi në prag të një vendimi historik. Edhe këto pesë ditë që na ndajnë nga 9 shkurti, ju ftoj me gjithë shpirt të bëjmë gjithçka për të përkrahur fuqinë e ndryshimit, për të mbrojtur dhe fuqizuar trashëgiminë e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Ashtu si deri më sot, edhe pas 9 shkurtit, me tërë qenien time do të punoj për ju, për Kosovën, për të ardhmen që e meritoni – me dinjitet, me përkushtim dhe me përgjegjësi në Kuvendin e Kosovës”, tha Mulaj.