Inzagi refuzon anglezët e Junajtid, por bëhet gati Diego Simeone…

by admin
Spread the love

Prej disa ditësh në Angli është duke u folur për një kalim të mundshëm të Simone Inzagit te Mançester Junajtid.

“Djajtë” duket se kanë vendosur që të largojnë Ten Hagun, në rast se ky i fundit nuk do të reagojë siç duhet në kampionat. Ekipi anglez ka pasur rezultate shumë negative, pavarësisht afrimeve të bujshme që ka bërë në merkaton e verës. Rezultatet nuk kanë ardhur dhe drejtuesit mendojnë që duhet një ndryshim në pankinë, për të dhënë një impuls të ri dhe për të nisur një projekt ambicioz.

Inzagi shihet si trajneri i duhur që mund të nisë gjithçka nga zero dhe të integrojë idetë e tij për të luajtur futboll dhe për të fituar trofe. Që nga koha kur ka marrë drejtimin e Interit nuk ka zhgënjyer dhe i ka bindur të gjithë duke fituar një status prej kampioni, sidomos vitin e kaluar me dominimin total që i bëri kampionatit italian.

E REFUZOI- Sipas mediave italiane, ka pasur një tentativë që në këto momente për trajnerin e kampionëve të Italisë. Atij i është kërkuar që të marrë drejtimin e ekipit që në ndalesën aktuale të kombëtareve, por një lëvizje e tillë sigurisht që nuk është mirëpritur aspak nga Inzagi. Ai do të duhej fillimisht që të zgjidhte çështjet ekonomike me klubin e Interit dhe nuk mund të linte zikaltrit në këtë fazë të sezonit. Përgjigja e Inzagit ka qenë e menjëhershme: Jo. Ai është i përfshirë totalisht në këtë projekt me zikaltrit dhe në fillimin e kampionatit rinovoi kontratën deri në vitin 2026.

E ARDHMJA– Nëse tani është shumë e vështirë që të ndodhë, Junajtid do të rikthehet sërish në pistë për të bërë një lëvizje në fundin e sezonit. Simone Inzagi është shndërruar në një fiksim dhe anglezët do t’i përqendrojnë të gjitha forcat për ta bindur atë. Sigurisht që situata në fundin e sezonit ndryshon, nisur edhe nga rezultatet që do të ketë me Interin. Mediat spanjolle raportojnë se në rast të një kalimi të tijin në Mançester, Diego Simeone është një prej kandidatëve që mund ta zëvendësojë te zikaltrit. Ai ka qenë gjithmonë një ëndërr e italianëve, por i vështirë për çështjet ekonomike. Sezonin me Atletikon nuk e ka nisur aspak mirë dhe me sa duket “Çolo” ka arritur në fundin e një cikli me “Los Kolçoneros”.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

You may also like