ATHINË, 31 tetor /ATSH-ANA/ – Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier mori pjesë sot në një ngjarje në përkujtim të viktimave të mizorive naziste të kryera nga trupat gjermane në fshatin Kandanos, në Hania gjatë Luftës së Dytë Botërore.
”Brutaliteti, egërsia, përbuzja për jetën njerëzore e treguar nga pushtuesit gjermanë edhe sot më merr frymën”, tha presidenti gjerman.
Duke folur në greqisht, ai kërkoi falje në emër të vendit të tij për krimet e rënda të kryera nga Wehrmachti.
”Unë do të doja të kërkoja faljen tuaj sot në emër të Gjermanisë”, tha ai në greqisht.
“Unë kërkoj nga ju, të mbijetuarit dhe pasardhësit, për faljen tuaj për krimet e tmerrshme të kryera këtu nga gjermanët. Kërkoj falje për faktin që gjatë shumë dekadave vendi im nuk i ndëshkoi këto krime. Që pas luftës ai heshti”, tha Steinmeier.
“Ne nuk mund ta zhbëjmë vuajtjen. Ne kurrë nuk do të jemi në gjendje t’i kompensojmë siç duhet. Por, ne duhet ta mbajmë të gjallë kujtimin për të siguruar që ajo që ka ndodhur dikur të mos ndodhë më. Pa kujtim, nuk ka të ardhme”, tha Steinmeier.
Ai theksoi se është thelbësore të ruhet kujtimi i këtyre mizorive, tmerrin e plotë të të cilave as fotografitë nuk mund ta përcjellin plotësisht, në mënyrë që njerëzimi të mos përjetojë më kurrë momente të tilla.
Duke iu drejtuar banorëve të Kandanos, ai i falënderoi për bujarinë e tyre në pritjen e tij duke thënë se e kuptoi se sa e vështirë ishte për një president gjerman të vinte në këtë fshat, një nga të parët e rrafshuar me tokën nga ushtarët gjermanë.
Më herët, Steinmeier vendosi një kurorë në përkujtim të të rënëve në Kandanos dhe bisedoi me të mbijetuarit e mizorive, të cilët ngritën edhe një herë çështjen e dëmshpërblimeve duke kërkuar drejtësi për krimet naziste në fshat./ a.jor.