Gratë trazojnë sërish Vatikanin – Shqip

by admin
Spread the love

Mbrojtësit për një rol më të madh të grave në Kishën Katolike Romake thanë së fundi se Papa Françesku i ka injoruar duke anashkaluar çështjen e shugurimit të grave në një takim të rëndësishëm global të udhëheqësve të kishës që po i afrohet fundit.

Pavarësisht një premtimi të mëparshëm për të vazhduar diskutimin mbi shugurimin e grave, Vatikani e la këtë çështje pezull në Sinodin e Peshkopëve të këtij viti.

Në sinodin e një viti më parë, pjesëmarrësit ranë dakord se ka një nevojë urgjente që kisha globale të përfshijë gratë në procesin e vendimmarrjes. Françesku ndërmori disa hapa në atë drejtim dhe vendosi gratë në pozita që ishin ekskluzivisht të rezervuara për burrat, kështu që në sinodin e sivjetshëm, 60 gra marrin pjesë në mesin e 368 anëtarëve që kanë votën e parë.

Megjithatë, nuk mungojnë edhe kritikat se në këtë sinod Françesku e hoqi nga rendi i ditës çështjen e grave dhjakonë në atë mënyrë që ia la këtë çështje Dikasterit konservator të Doktrinës së Besimit.

“Gjithçka që është bërë deri më tani për të përmirësuar kushtet për gratë në kishë ka qenë vetëm kozmetike,” tha Lucetta Scaraffia, një gazetare italiane dhe redaktore e një të përjavshme të grave të botuar nga Vatikani.

“Është e kotë që gratë të presin që të vijë një Papë i mirë që do të njohë vlerat e tyre”, tha Scaraffia.

Shumë prej besimtarëve që iu përgjigjën një pyetësori të dërguar vitin e kaluar ndezën një debat rreth lejimit të grave që të bëhen dhjakë, të cilët mund të shërbejnë në dasma, pagëzime dhe funerale, edhe nëse nuk mund të kryesojnë në meshë.

 Papa hoqi dhjetë tema nga rendi i ditës

>

Në Kishën Katolike, priftërinjtë janë ekskluzivisht burra, dhe Papa Gjon Pali II tha se nuk kishte autoritet të shuguronte gra priftërinj.

Por historianët e kishës na kujtojnë se ka prova që në shekujt e hershëm gratë shërbenin si dhjakë.

Françesku urdhëroi më parë dy komisione të Vatikanit për të studiuar mundësinë e grave dhjakonë, por kjo nuk shkoi larg.

Siç raportohet, raporti përfundimtar i seancës së Sinodit të vitit të kaluar premtoi se diskutimi do të vazhdojë në mbledhjen përcjellëse që filloi në fillim të tetorit të këtij viti.

Papa hoqi 10 tema nga rendi i ditës së Sinodit të këtij viti dhe ia kaloi ato organeve speciale që do t’i raportojnë në qershor të vitit të ardhshëm.

Kreu i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Besimit, Kardinali Victor Manuel Fernandez, tha se “ende nuk ka vend për një vendim pozitiv” në lidhje me aksesin e grave në dhjakonat. /tesheshi.com/

You may also like