Gola e spektakël në Shkodër

by admin
Spread the love

Barazim 2:2 në Loro Boriçi të Shkodrës, midis Vllaznisë e Partizanit.

Ndeshje e luftuar dhe me shumë raste në pjesën e dytë, me pikën e merituar nga Partizani, pasi Vllaznia nuk arriti të shënonte golin e sigurisë.

Vllaznia e Partizani dhuruan një ndeshje spektakolare plot raste e gola në “Loro Boriçi” të Shkodrës, mbyllur në barazim 2-2, duke lënë të pandryshuar kreun e renditjes së Abissnet Superiore. Të dyja skuadrat e nisën me vrull por Partizani u shfaq më ngacmues drejt portës, deri sa gjeti edhe golin e epërsisë, me Mba, i cili shtyu në rrjetë topin e kthyer nga shtylla, pas gjuajtjes me kokë të Prekës.

VAR konfirmoi se Mba ishte në pozicion të rregullt në momentin e gjuajtjes së Prekës. Pas golit, përpjekje të Vllaznisë për të barazuar, por pa raste deri sa e arrin, në minutën e 42-të, kur Stojanoviç shënon me kokë, pas krosimit nga Kahrimanoviç.

Pjesa e dytë është tjetër histori, edhe falë golit të dytë të Vllaznisë, në minutën e 51-të, nga Malaj. Loja ndizet dhe për shumë minuta janë kuqeblutë zotër të fushës dhe rastet për dyfishim nuk mungojnë. Në minutën e 65-të Qirko i mohon golin Balajt, dhe pak sekonda më pas është Bytyçi që ndal gjuajtjen e kapitenit shkodran.

>

Mund të kishte qenë goli i nokautit, Partizani duket në tapet, por që nga ai moment ringrihet dhe 20 minutat e fundit të lojës iu përkasin plotësisht të kuqve, me sulme e raste për shënim. Bintsuka gjuan në minutëpn e 73-të, Qarri devijon në goditje nga këndi.

Rrapaj gjuan në të 77-ën, jashtë, ndërsa në minutën e 83-të Qarri edhe njëherë shpëton portën nga Mba. Në goditjen këndore që pason, Preka gjuan jashtë. Portieri i Vllaznisë bëhet protagonist edhe në të 90-tën, kur nuk lejon golin nga Bintsuka.

Qarri mund të ishte heroi i fitores, por në të 93-ën dorëzohet kur Mba shënon me kokë pas krosimit nga e djathta. Kurorëzim i merituar i përpjekjeve të Partizanit që kërkon goditjen e madhe. Mba shpërthen në një kundrësulm të shpejtë e shënon edhe të tretin, por i nisur nga pozicioni jashtë loje.

Paqe, 2-2 në Shkodër dhe Partizani ruan kryesimin, ndërsa Vllaznia qëndron e pesta, me vetëm dy pikë më pak.

You may also like