BERLIN, 12 shkurt /ATSH-DPA/ – Ftesa e kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, drejtuar Rusisë për t’u bërë çfarëdo anëtarëve të NATO-s që nuk përmbushin angazhimet e tyre financiare, ka tërhequr kritika të ashpra nga politikanët dhe ekspertët gjermanë.
“Këto deklarata janë të papërgjegjshme”, deklaroi sot presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier gjatë një vizite në kryeqytetin qipriot, Nikosia.
“Dhe askush në aleancën tonë nuk mund të ketë ndonjë interes për këtë”, shtoi ai.
Trump, kandidati i supozuar republikan për zgjedhjet e nëntorit, tha në një aktivitet të fushatës në shtetin e Karolinës së Jugut të shtunën se ai do të nxiste Rusinë të bënte çfarë të donte me vendet e NATO-s që nuk po shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.
Ekspertët gjermanë të politikës së jashtme shprehën gjithashtu shqetësimin e tyre.
”Deklaratat e gabuara të Donald Trump mbi detyrimet e traktatit të SHBA-së në rast të një sulmi ndaj një anëtari të NATO-s dëshmojnë edhe një herë se sa i paparashikueshëm, i paskrupullt dhe jo i besueshëm është ai”, tha Koordinatori Transatlantik i qeverisë gjermane Michael Link për edicionin e së hënës të gazetës ”Tagesspiegel”.
Ish-ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel tha se deklarata ishte si një ftesë për presidentin rus Vladimir Putin për të testuar aleancën e mbrojtjes.
“Ai nuk do të na testojë në Gjermani, por ndoshta në shtetet baltike”, paralajmëroi Gabriel në radio ”Deutschlandfunk”.
Kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Christoph Heusgen, tha sot se kërkesat e Trump për më shumë shpenzime të mbrojtjes nuk janë befasuese.
Eksperti konservator i politikave, Norbert Rottgen tha se Trump do ta zhyste NATO-n në një krizë ekzistenciale, sepse ai e sheh aleancën në terma transaksionale.
”Prandaj Gjermania duhet të kuptojë se së shpejti mund të mos kemi zgjidhje tjetër veçse të mbrohemi në një kohë kur ka luftë në Evropë”, theksoi Rottgen./ a.jor.