GJENEVË – I dërguari rus në OKB: Rusia nuk ka qëllim të vrasë Zelensky

by admin

GJENEVË, 9 mars /ATSH-ANSA/ – Rusia nuk ka qëllim të vrasë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha sot zëvendëspërfaqësuesi i parë rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky.

“A mendoni vërtet se nëse do të donim të godisnim autokolonën e Zelensky, nuk do të ishim në gjendje ta bënim atë? Përpiquni t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, por jini të sinqertë”, tha Polyansky duke folur në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën, në Gjenevë.

“Ju që të gjithë e dini mirë se një goditje e ngjashme në objektet ushtarake në Odesa shkatërroi një qendër prodhimi që prodhonte drone detare, duke i montuar ato nga komponentët e furnizuar nga Britania e Madhe”, shtoi ai.

“Ky objektiv ishte shumë më i rëndësishëm për ne, nëse krahasohet me Zelensky, i cili vazhdon të endet përgjatë zonës së vijës së parë duke bërë “selfie” në qytete përpara se ato të çlirohen nga trupat ruse”, theksoi Polyansky.

“Nëse disa prej jush shpresojnë se lideri i regjimit të Kievit mund të hiqet qafe në këtë mënyrë, më vjen keq t’iu zhgënjej: kjo nuk është në planet tona”, shtoi diplomati rus. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like