
PARIS, 12 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria e Francës po i përmbahet ligjit të saj të diskutueshëm të migracionit, pavarësisht refuzimit të tij nga parlamenti.
“Komisioni i senatorëve dhe deputetëve duhet të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur për të arritur një kompromis”, tha sot zëdhënësi i qeverisë Olivier Véran në Paris.
“Një komision i tillë është pjesë normale e procesit legjislativ”, tha ai.
Një shumicë e ngushtë e ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare hodhi poshtë dje projektligjin e qeverisë për migracionin.
Ligji, të cilin qeveria kërkon ta përdorë për të luftuar migracionin e parregullt dhe për të përmirësuar integrimin, mund të përfshijë më shumë kërkesa nga e djathta politike gjatë bisedimeve të ardhshme në komision.
Një version i ri i dokumentit të miratuar nga Senati me shumicë konservatore do të shërbejë si bazë për diskutim.
Centristët e Macron nuk kanë pasur një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare Franceze që nga zgjedhjet parlamentare në qershor 2022, dhe varen nga votat e opozitës për të zbatuar planet e tyre. //a.i/