FRANCË – Barnier përplaset me kampin qendror të Macron lidhur me rritjen e taksave

by admin
Spread the love

PARIS, 18 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri i sapoemëruar francez Michel Barnier është përplasur me kampin qendror të presidentit Emmanuel Macron për rritjen e taksave, sipas raportimeve të medieve franceze.

Mosmarrëveshja përqendrohet rreth vendimit të Barnier për rritjen e taksave, e cila u shmang nga qeveria e mëparshme.

Barnier, një ish-komisioner i BE-së, përmendi gjendjen e rëndë të financave publike si justifikim për propozimin e tij, i cili ka marrë kritika nga brenda kampit të Macron.

“Situata buxhetore e vendit, të cilën po e zbuloj tani, është shumë serioze”, tha Barnier. “Kjo situatë kërkon më shumë se debate, kërkon përgjegjësi”, tha ai.

Peizazhi politik në Francë mbetet i paqëndrueshëm pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të fundit, të cilat nuk arritën të rezultonin me një shumicë të qartë ose koalicion të aftë për të formuar një qeveri.

Presidenti Macron emëroi Barnier si kryeministër dy javë më parë – me planet për të paraqitur një kabinet të ri këtë javë.

Paraardhësi i Barnier, Gabriel Attal, i cili mori presidencën e grupit të kampit qendror të Macron, ka kërkuar një takim me Barnier për të diskutuar drejtimin e politikës së tij.

Megjithatë, raportet tregojnë se ky takim është anuluar papritur mëngjesin e sotëm.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin shprehu gjithashtu rezerva në lidhje me rritjen e taksave të propozuara nga Barnier – që shënjestrojnë individët dhe korporatat me fitime më të larta.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka nisur procedurat e deficitit ndaj Francës për shkak të rritjes së niveleve të reja të borxhit, duke e bërë gjithnjë e më të pamundur synimin për uljen e huamarrjes nën kufirin prej 3% të mandatuar nga BE-ja.

Franca aktualisht po përballet me një borxh publik të barabartë me 110% të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB), duke e vendosur atë në mesin e ekonomive më të dobëta në eurozonë. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like