FOKUS – ”The Economist”: Shkarkimi i Zaluzhnyt mund të penalizojë Zelenskyn

by admin

KIEV, 9 shkurt /ATSH-ANSA/ – Shkarkimi i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ukrainase, Valery Zaluzhny, i njoftuar nga presidenti Volodymyr Zelensky, rrezikon të penalizojë liderin ukrainas dhe të ketë pasoja negative në konfliktin kundër Rusisë, shkruan e përjavshmja britanike ”The Economist”.

Sipas revistës, gjenerali ”luajti një rol vendimtar dhe kundër të gjitha gjasave në zmbrapsjen e forcave të Moskës në ditët e para të pushtimit dhe për këtë arsye fitoi popullaritet të madh midis trupave të tij dhe civilëve ukrainas”.

”Vendimi për të zëvendësuar udhëheqjen e ushtrisë shënon fillimin e një faze të re të luftës, në të cilën zgjedhja e liderit ukrainas mund të rezultojë e gabuar”, nënvizon gazeta.

”Pyetja më e rëndësishme është nëse Zelensky do të jetë në gjendje të përfitojë nga silurimi i gjeneralit Zaluzhny për të riorientuar vizionin e tij për luftën”, shton revista.

Ajo ngre disa dyshime për zgjedhjen e zëvendësuesit, gjeneralit Oleksandr Syrsky, për t’u përballur me armikun.

”The Economist” vëren se, pavarësisht synimeve të Zelenskyt, ”nëse nuk ndryshon diçka krejtësisht e papritur, një luftë e përcaktuar nga territori është një luftë që Ukraina nuk mund ta fitojë”.

”Prandaj, një marrëdhënie e plotë duhet të jetë vendimtare mes drejtuesve politikë dhe ushtarakë me objektiva të saktë dhe të përbashkët si dhe një kapacitet më të madh për të prodhuar armë në mbarë vendin dhe me më pak varësi nga ndihma nga jashtë”, thekson gazeta./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like