NAJROBI, 1 nëntor /ATSH-ANSA/ – Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) nisi sot një apel urgjent për donatorët për financim të shpejtë për Sudanin e Jugut, ku miliona njerëz janë në prag të urisë.
WFP tha se ”rezervat e saj ushqimore në Sudanin e Jugut janë bosh dhe se i duhen 404 milionë dollarë financim ndihme për vitin 2025 në mes të rritjes së kostove operative dhe urisë”.
Pa financim të shpejtë, WFP tha se do të duhet të përdorë fluturime të shtrenjta, më vonë këtë vit, për të arritur në komunitetet e izoluara më të rrezikuara për shkak të mungesës së rrugëve të kalueshme.
”Duhen muaj që fondet e premtuara nga donatorët të kthehen në ushqim në duart e të uriturve në Sudanin e Jugut Rrjetet e kufizuara rrugore të vendit janë të pakalueshme për pjesën më të madhe të vitit, veçanërisht në pjesët lindore dhe qendrore të vendit. Pasiguria ushqimore është më e madhe”, theksoi Shaun Hughes, drejtor i përkohshëm i WFP për Sudanin Jugor.
Fondet e marra para fundit të këtij viti do të lejojnë WFP të transportojë ushqime me rrugë gjatë sezonit të thatë, nga dhjetori në prill.
Sipas organizatës, më shumë se gjysma (56%) e popullsisë së Sudanit Jugor nuk ka ushqim.
Dhe situata pritet të përkeqësohet për shkak të inflacionit të lartë, përmbytjeve dhe fluksit të refugjatëve që ikin nga konflikti në Sudanin fqinj./ /os/