FOKUS – Nafta ”Brent” kalon 80 dollarë për fuçi, pas konfliktit në Lindjen e Mesme

by admin
Spread the love

PARIS, 7 tetor /ATSH-AFP/ – Çmimi i një fuçie nafte ”Brent” kaloi sot shenjën simbolike prej 80 dollarësh, me investitorët që i frikësohen një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme, pikërisht një vit pas sulmeve të kryera nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Izrael, më 7 tetor 2023.

Rreth orës 17:25, çmimi i një fuçie ”Brent” nga Deti i Veriut, u rrit 2,63% në 80,1 dollarë.

Ekuivalenti i tij amerikan, një fuçi ”West Texas Intermediate” (WTI), u rrit me 2,85% në 76,51 dollarë.

‘’Çmimi i naftës po rritet, në nivelin më të lartë në më shumë se një muaj, sepse nuk ka asnjë rezultat në horizont për konfliktin në Lindjen e Mesme që rrezikon të përhapet më tej’’, thotë Susannah Streeter, analiste në ‘’Hargreaves Lansdown’’.

Investitorët kanë frikë veçanërisht nga një sulm nga Izraeli në infrastrukturën iraniane të prodhimit të naftës.

Shumë operatorë spekulativë folë për një rënie masive për çmimin e arit të zi deri në mes të shtatorit, por sulmet e Iranit ndaj Izraelit dhe përgjigja e pritshme e këtij të fundit kanë tensionuar tregun.

“Investitorët kanë ndjenjën e një reagimi të afërt nga Izraeli ndaj Iranit”, konfirmon Jorge Leon nga ‘’Rystad Energy’’.

Irani është një nga dhjetë vendet më të mëdha prodhuese të naftës dhe ka rezervat e treta më të mëdha në botë, pas Venezuelës dhe Arabisë Saudite.

Irani prodhoi 3,4 milionë fuçi në ditë në gusht, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

‘’Rrjedhimisht, spekulantët po mbrojnë tani një rritje të çmimeve, nga frika e ndërprerjeve të naftës në Lindjen e Mesme”, shpjegon Giovanni Staunovo, analist në UBS./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like