FOKUS – Mbi 42 000 palestinezë të vrarë në Gazë

by admin
Spread the love

RAMALLAH, 9 tetor /ATSH-DPA/- Numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës së Gazës – mbi një vit më parë – është rritur në 42 010, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gazë.

“Të paktën 97 720 palestinezë të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori 2023”, tha ministria.

Shifrat nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe luftëtarëve dhe nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara i konsiderojnë ato si të besueshme.

Raportet palestineze thanë se shumë njerëz janë vrarë dhe plagosur në operacionet e fundit ushtarake izraelite, në veri të Rripit të Gazës.

Punonjësit palestinezë të shpëtimit i përshkruan sulmet si jashtëzakonisht intensive, duke thënë se në shumicën e rasteve nuk mund të arrinin te të plagosurit për shkak të luftimeve të ashpra.

Mjekët e spitalit thanë se nëntë anëtarë të një familjeje ishin vrarë në një sulm të vetëm ajror izraelit në një ndërtesë banimi.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe ushtria izraelite ende nuk ka komentuar mbi incidentin.

Lufta e Gazës u shkaktua nga sulmi i paprecedentë i grupit islamik Hamas dhe aleatëve të tij në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

Anëtarët e milicisë dhe persona të tjerë të armatosur vranë mbi 1200 njerëz dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë në Rripin e Gazës. //a.i/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like