FOKUS – Kurti kundër aplikimit të marrëveshjes së emigracionit Itali-Shqipëri në Ballkan

by admin
Spread the love

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Euractiv ka vlerësuar se instalimi i qendrave të pritjes në Ballkanin Perëndimor – sipas modelit të atyre që ka ndërtuar Italia në Shqipëri – nuk do të ishte zgjidhje, ndërkohë që i gjithë rajoni përfundimisht duhej të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, sipas https://www.euractiv.fr/.

”Nëse do të ndërtoheshin qendra të reja paraburgimi në vendet e Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e personave të burgosur do të respektohen?”, pyet Albin Kurti duke theksuar se ”këto qendra do të rëndojnë në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit por edhe të atyre të BE-së”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së fundmi tha se ishte në favor të idesë së zhvillimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së duke shpjeguar se ishte e nevojshme të nxirreshin mësime nga marrëveshja italo-shqiptare.

”Mirëpritja e përkohshme e refugjatëve, nëse e kërkon urgjenca, sigurisht që është gjithmonë e mundur”, ka sqaruar kryeministri i Kosovës, por nuk bëhet fjalë për riprodhimin e modelit italian.

”Po flasim për qenie njerëzore për të cilët duhet të kujdesemi”, tha ai.

Pas marrjes së Kabulit nga talebanët më 15 gusht 2021, Kosova – si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – mirëpriti disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane dhe të vendosur në bazat e NATO-s, përpara se të transferoheshin në vende të ndryshme perëndimore.

Duke ndjekur integrimin evropian

Përderisa Prishtina ka përfituar nga liberalizimi i vizave me BE-në që nga 1 janari 2024, Albin Kurti u shpreh i gëzuar edhe që hapja e kufijve evropianë për qytetarët e Kosovës nuk solli një valë masive largimesh nga vendi i tij.

Rreth 800 000 qytetarë nga Kosova vlerësohet të jetojnë në BE, ndërsa rezultatet e regjistrimit të publikuara këtë verë e ulën popullsinë e vendit të vogël në 1,6 milionë nga 1,8 milionë, 10 vjet më parë.

“Diaspora jonë shumë e madhe është e përmalluar dhe e lëvizshme”, thotë Albin Kurti, i cili po llogarit në kthimin e emigrantëve për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës, brenda kornizës më të gjerë të anëtarësimit në BE.

>

Kryeministri përshëndeti dëshirën e presidentes së Komisionit Evropian për të përshpejtuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç kujtoi gjatë një takimi të procesit të Berlinit më 14 tetor, edhe nëse negociatat për “normalizimin e marrëdhënieve” me Serbinë. janë në bllokim prej muajsh.

“Të bësh zgjerimin një objektiv prioritar është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që duan të minojnë sigurinë dhe unitetin e Evropës”, ​​shpjegoi Albin Kurti.

Bllokimi në negociatat me Serbinë

Por për ta bërë këtë, “është e rëndësishme që bashkëpunimi midis vendeve të BE-së dhe Serbisë të mos jetë në dëm të demokracisë në këtë vend dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai përsëri.

“Ne po llogarisim që Franca dhe Gjermania ta bëjnë Beogradin të kuptojë se bashkëpunimi ekonomik nuk do të thotë të japësh një çek të bardhë për të shkelur të drejtat e njeriut, për të ngacmuar fqinjët e saj dhe për të manipuluar zgjedhjet”, deklaroi ai.

Pothuajse një vit më parë, qindra mijëra njerëz dolën në rrugët e qyteteve kryesore në Serbi për të denoncuar parregullsitë gjatë zgjedhjeve legjislative dhe komunale të 17 dhjetorit 2023, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) duke vënë në dukje “blerje votash”.

Më 19 korrik, kancelari gjerman Olaf Scholz shkoi në Beograd për të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për furnizimin me litium serb në BE. Disa ditë më vonë, më 29 gusht, presidenti Emmanuel Macron konfirmoi shitjen e 12 avionëve luftarakë ”Rafale” ushtrisë serbe.

Serbia nga ana e saj denoncon diskriminimin e 100 000 serbëve që ende jetojnë në Kosovë, ndërsa Prishtina është përpjekur prej muajsh të ndërpresë lidhjet e pakicës me vendin dhe të shpërbëjë institucionet që varen nga Beogradi, si posta, shkolla apo edhe sistemi shëndetësor.

“Unë po luftoj kundër krimit që është i shfrenuar në rajonet veriore të Serbisë dhe tashmë kemi mbyllur 18 rrugë ilegale që shkojnë nga Kosova në Serbi”, tha Kurti.

“Nëse dikush priste që unë të bëhesha kryeministër dhe t’i mbaja këto rrugë të hapura, nuk më njihnin vërtet”, shton ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like