FOKUS – Ekonomia gjermane në recesion prej 0,2% në 2024

by admin
Spread the love

BERLIN, 6 tetor /ATSH-AFP/ – Qeveria gjermane ka rishikuar parashikimin e saj të rritjes ekonomike në rënie dhe tani pret një recesion të ri me një rënie të PBB-së prej 0,2% në vitin 2024, raportoi të dielën e përditshmja ;;Süddeutsche Zeitung;;.

”Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck do të zbulojë zyrtarisht këtë shifër të mërkurën, duke u bërë edhe më pesimist se institutet kryesore ekonomike”, sipas gazetës.

Qeveria gjermane kishte parashikuar deri më tani një rritje të dobët prej 0,3% këtë vit, por shpresat për një rimëkëmbje të udhëhequr nga konsumi po zbehen.

Prandaj, ekonomia më e madhe e Evropës pritet të përjetojë një recesion për të dytin vit radhazi, pas një rënie prej 0,3% të PBB-së në 2023, e shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, një ngadalësim industrial dhe një rënie në eksporte.

Në vitin 2024, lehtësimi i inflacionit dhe ulja e parë e normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) ushqeu shpresat për një rimëkëmbje, por kërkesa e brendshme dhe e jashtme mbetën të dobëta.

Institutet kryesore ekonomike gjermane kishin rishikuar parashikimet e tyre në rënie më 26 shtator dhe tani presin që PBB-ja të ngecë ose tkurret me 0,1% këtë vit.

“Në vend që të fitojë vrull, ekonomia vazhdon të karakterizohet nga një ngurrim i përgjithshëm i konsumatorëve për të shpenzuar”, shkruan ”Süddeutsche Zeitung”, një nga gazetat e përditshme gjermane.

Gjermania gjithashtu përballet me sfida strukturore, si rritja e konkurrencës nga Kina, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe një tranzicion kompleks ekologjik.

Qeveria gjermane, megjithatë, është optimiste në perspektivën e saj për vitin 2025.

Masat në shqyrtim përfshijnë uljen e taksave, uljen e përhershme të çmimeve të energjisë për industrinë, lehtësimin e burokracisë dhe stimujt për të mbajtur të moshuarit në tregun e punës dhe për të tërhequr punëtorë të huaj të kualifikuar./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like