UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-ANSA/ – Tregjet amerikane të aksioneve po rrëshqasin, ndërsa investitorët përgatiten për rezultatin e zgjedhjeve duke u ripozicionuar në treg.
Obligacionet e qeverisë, të konsideruara si një strehë e sigurt, rriten duke treguar dëshirën për të ulur rrezikun në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, për të cilat nuk përjashtohet që mund të duhen edhe ditë të tëra.
Dollari, megjithatë, po bie, i rënduar nga sondazhi i ”Des Moines Register” i cili e sheh Harrisin me tre pikë përqindje përpara në Iowa.
Sondazhi i jep krahë pesos meksikane – e cila është prekur shumë nga hipoteza e Trump për tarifat e reja – por po ngadalëson Bitcoin, i cili së fundmi u rrit me mbështetjen e ish-presidentit për kriptovalutat.
Një shembull i tensioneve dhe ndryshimeve në humor në ”Wall Street” është kompania ”Trump & Media Technology”, e cila është rritur apo ka rënë në javët e fundit në varësi të sondazheve.
Përballë rrezikut të pasigurisë dhe shkaqeve të mundshme që mund të paraqiten kundër rezultateve, ”Wall Street” ra në prag të votimit, i kushtëzuar edhe nga pritja e mbledhjes së FED-it, e cila do të bëjë të ditur vendimet e politikës monetare të enjten.
Analistët po vënë bast për një ulje të normës prej një çerek pikë përqindjeje falë rënies së inflacionit, tashmë afër objektivit prej 2%.
Në qendër të vëmendjes është konferenca për shtyp e Jerome Powell në fund të takimit për të kuptuar se si FED synon të ecë përpara.
Një fitore për manjatin mund të ketë gjithashtu një efekt të rëndësishëm në FED, duke pasur parasysh se Trump është i bindur se presidenti amerikan mund dhe duhet të vendosë për normat.
Rezultatet e zgjedhjeve do të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin se si ”Wall Street” e mbyll vitin./ a.jor.