FOKUS – Do të mund ta karikojmë celularin me nxehtësinë e trupit?

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 tetor /ATSH/ – A keni harruar ndonjëherë të karikoni telefonin tuaj përpara se të dilni nga shtëpia për një udhëtim apo një shëtitje të gjatë?

Zgjidhja e problemit mund të vijë nga vetë trupi ynë, shkruan focus.it.

Një grup studiuesish nga Universiteti i Uashingtonit (UW), i udhëhequr nga profesori Mohammad Malakooti, ​​ka zhvilluar një pajisje të veshur që transformon nxehtësinë e trupit në energji elektrike, duke publikuar rezultatet e studimit të tyre në ”Advanced Materials”.

Kjo teknologji novatore, por për momentin ende e re, një ditë mund të na lejojë të rimbushim pajisje të vogla elektronike thjesht duke veshur një byzylyk ose aksesorë të tjerë.

Çelësi i shpikjes nga shkencëtarët amerikanë qëndron në fleksibilitetin e saj ekstrem.

Tradicionalisht, pajisjet termoelektrike që konvertojnë nxehtësinë në energji janë të ngurtë dhe të brishtë, por produkti i projektuar nga ekipi i Malakooti është i butë dhe rezistent dhe mund të shtrihet deri në 2 000 herë pa humbur aftësinë e tij për të prodhuar energji elektrike.

Kjo është e mundur falë një strukture me tre shtresa ku në qendër ka çipa të ngurtë që konvertojnë nxehtësinë në energji elektrike.

Rreth tij, gjendet një material i përbërë i printuar 3D që përmirëson efikasitetin e energjisë dhe zvogëlon peshën.

Së fundi, gjurmët e metalit të lëngshëm sigurojnë elasticitet, përçueshmëri dhe vetë-riparim.

Është një teknologji që, pasi vishet në lëkurë, fillon menjëherë të prodhojë energji, siç tregohet nga ndriçimi i një LED të vogël të fuqizuar ekskluzivisht nga nxehtësia e trupit.

Edhe pse ideja për të karikuar celularin tuaj me një metodë kaq inovative është magjepsëse, aplikimet e mundshme të kësaj teknologjie shkojnë shumë përtej.

Së bashku me objektet teknologjike të veshur, profesor Malakooti imagjinon se këto pajisje mund të përdoren për të rikuperuar nxehtësinë e tepërt të prodhuar nga pajisjet elektronike, siç janë serverët në qendrat e të dhënave.

Në këto mjedise, nxehtësia e mbetur mund të fuqizojë sensorët për të monitoruar temperaturën dhe lagështinë, duke reduktuar konsumin e përgjithshëm të energjisë.

Mundësia e shfrytëzimit të energjisë termike nga burimet tashmë ekzistuese e bën këtë zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative, me implikime të rëndësishme për reduktimin e ndikimit mjedisor./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like